TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Korrik 2026, 18:06

“Një ditë do ta shihni në Spanjë”, presidenti i Dortmundit zbulon të ardhmen e Haland: Do Realin e Madridit

Shkruar nga Pamfleti
“Një ditë do ta shihni në Spanjë”, presidenti i
Erling Haland

Presidenti i Borusias së Dortmundit, Hans-Joakim Vatcke, ka rikthyer në qendër të vëmendjes të ardhmen e Erling Haland, duke deklaruar se sulmuesi norvegjez ka dëshirë të luajë për Realin e Madridit.

Në një intervistë për gazetën spanjolle “AS”, Vatcke u shpreh se nuk pret një largim të menjëhershëm të Haland nga Mançester Siti, por beson se kalimi i tij te gjiganti spanjoll është vetëm çështje kohe.

"Erling e do Realin e Madridit dhe nuk e fsheh këtë. Mendoj se pas dy ose tre vitesh ai do të luajë atje, por jo tani. Koha e tij do të vijë", deklaroi Vatcke.

Sipas tij, sulmuesi norvegjez nuk ka arritur ende asnjë marrëveshje me ndonjë klub tjetër, duke lënë të hapur çdo mundësi për të ardhmen.

Deklaratat e presidentit të Dortmundit vijnë në një moment të shkëlqyer për Haland, i cili po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij. Ai ishte figura kryesore në kualifikimin e Norvegjisë në Kupën e Botës pas 28 vitesh mungesë, duke shënuar shtatë gola gjatë fazës kualifikuese.

Në Kupën e Botës, Haland vazhdon të shkëlqejë, duke udhëhequr Norvegjinë dhe duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga sulmuesit më të mirë në futbollin botëror.

Aktualisht, 26-vjeçari vlerësohet rreth 200 milionë euro, duke qenë ndër futbollistët më të shtrenjtë në botë, në të njëjtin nivel me talentin spanjoll Lamin Jamal.

Edhe pse Mançester Siti ka mohuar ekzistencën e një klauzole largimi në kontratën e tij, përfaqësuesit e Haland kanë theksuar vazhdimisht se lojtari do të vendosë vetë për destinacionin dhe momentin e hapit të ardhshëm në karrierë.

Reali i Madridit e ndjek Haland prej vitesh. Klubi madrilen kishte shfaqur interes për të që në kohën kur ai luante te Molde, por atëherë ishte Salcburgu që siguroi transferimin e sulmuesit. Që nga ajo periudhë, emri i norvegjezit është lidhur vazhdimisht me një kalim në "Santiago Bernabeu".

Nëse parashikimi i Vatcke do të realizohet, historia e Haland mund të ngjasojë me atë të Kilian Mbape, i cili iu bashkua Realit të Madridit vetëm pas disa vitesh pritjeje dhe negociatash.

erling haland sulmuesi norvegjez hans joakim vatcke presidenti i dortmundit real madrid

Lini një Përgjigje