Sporti shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të një prej figurave më të spikatura të boksit, Rami Sadushi, i cili u shua në moshën 84-vjeçare.
Rami Sadushi lindi më 1 korrik 1942 në Vlorë, në një familje punëtore dhe me tradita atdhetare. Pas përfundimit të arsimit 7-vjeçar në qytetin e lindjes, ai u transferua në Tiranë për të vazhduar studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”.
Gjatë viteve të shkollimit, krahas rezultateve të mira në mësime, Sadushi iu përkushtua sportit të boksit, ku shfaqi shpejt talentin dhe aftësitë e tij. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai vijoi studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, duke e kombinuar karrierën ushtarake me atë sportive.
Në vitin 1963 u titullua oficer dhe u emërua në shkollën “Skënderbej”. Po atë periudhë, boksi u ndërpre si sport në Shqipëri, duke i dhënë fund para kohe karrierës së tij aktive në ring. Megjithatë, deri në atë moment, Rami Sadushi kishte ndërtuar një palmares të admirueshëm.
Ai u shpall kampion i shkollës “Skënderbej”, kampion i Tiranës, pesë herë kampion kombëtar dhe dy herë kampion i Ushtrisë. Një nga arritjet më të rëndësishme ndërkombëtare ishte titulli nënkampion në Lojërat GANEFO, të zhvilluara në vitin 1963 në Bogor-Batavia të Indonezisë.
Për kontributin e tij të shquar në sport, Sadushi u vlerësua me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar”. Paralelisht me angazhimin në ushtri, ai vijoi kualifikimin profesional në Akademinë e Mbrojtjes dhe në institucionet e edukimit fizik, duke kontribuar në formimin dhe zhvillimin e sportit shqiptar.
Rami Sadushi do të kujtohet si një sportist i talentuar, një ushtarak i përkushtuar dhe një personalitet që la gjurmë të rëndësishme në historinë e boksit shqiptar. Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për sportin dhe për të gjithë ata që e njohën dhe vlerësuan kontributin e tij ndër vite.
*Nga Et’hem Ibrahimi, ish-kampion boksi
Lini një Përgjigje