
Nga Serbia në Shqipëri, protestat po marrin trajta të ngjashme përballë projekteve të mëdha të mbështetura nga kapitali ndërkombëtar. Shtetet po veprojnë gjithnjë e më shumë si ndërmjetëse të interesave të kapitalit global, në vend që të mbrojnë qytetarët e tyre. Kjo po krijon terrenin për një solidaritet të ri ballkanik përtej ndarjeve historike.
I kam ndjekur protestat e fundit në Shqipëri, por nga një këndvështrim i veçantë: si pjesëmarrës në një valë të ngjashme protestash masive në Serbi. Në vitin 2024 mora kërcënime me vdekje për tre muaj rresht, pasi botova një artikull akademik ku nxirrja në pah të dhëna ekonomike të diskutueshme lidhur me një projekt të mbështetur nga Gjermania për nxjerrjen e litiumit, i cili kërcënonte të shkatërronte zonat rurale të Serbisë.
Meqenëse disa prej kërcënimeve ishin shkruar në gjermanisht dhe pasuan vizitën e kancelarit të atëhershëm gjerman, Olaf Scholz, çështja mori vëmendje ndërkombëtare. Ajo është ende nën hetim nga Kombet e Bashkuara dhe u pasqyrua edhe nga gazeta britanike The Guardian, duke tërhequr vëmendjen ndaj protestave masive në mbarë Serbinë dhe represionit që pasoi.
Më herët, isha përfshirë në ndërkombëtarizimin e rezistencës së Serbisë kundër projekteve të nxjerrjes së litiumit, duke lidhur aktivistë dhe komunitete lokale nga Portugalia, Kili, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera me ata në Serbi, në kuadër të asaj që u bë e njohur si “Deklarata e Jadarit”.
Pikërisht këto lidhje ndërkombëtare shkaktuan kërcënimet ndaj meje. Prandaj kam arsye të forta të flas për atë që po ndodh në Shqipëri, pas një muaji protestash kundër një projekti shkatërrues për ndërtimin e një resorti luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner.
Sigurisht, jo të gjithë e ndajnë këtë këndvështrim. Dekada nacionalizmi dhe luftërash kanë krijuar ndarje të thella mes Serbisë dhe Shqipërisë. Megjithatë, ngjashmëritë janë të rëndësishme.
Të dyja qeveritë po përballen me reagime të forta nga qytetarët për shkak të lidhjeve të tyre me projekte zhvillimi të udhëhequra nga aktorë të huaj. Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm në të dy vendet. Qytetarët nuk po identifikohen më automatikisht me shtetet e tyre.
Në vend të kësaj, të dyja shoqëritë po përjetojnë një ndarje gjithnjë e më të thellë mes qytetarëve dhe strukturave shtetërore, të cilat shtypin popullsinë e tyre për të mbrojtur projekte të drejtuara nga elitat amerikane dhe kapitali global.
Ashtu si Serbia, edhe Shqipëria ka përjetuar emigrim masiv. Gjatë tranzicionit drejt kapitalizmit pas vitit 1991, vendi humbi më shumë se një milion banorë. Vlerësimet zyrtare të Kombeve të Bashkuara tregojnë se mbi 43 për qind e popullsisë shqiptare jeton sot jashtë vendit.
Po ashtu, të dyja vendet përballen me konflikte mjedisore gjithnjë e më të mëdha. Opozita politike është ose joefektive ose, në rastin e Shqipërisë, në disa raste e lidhur me industritë nxjerrëse, ndërsa sindikatat mbeten të dobëta.
Njëkohësisht, Shqipëria dhe Serbia po shndërrohen gjithnjë e më shumë në destinacione të rëndësishme për kapitalin amerikan. Edhe përpara projektit të resortit luksoz në Zvërnec, Jared Kushner ishte përfshirë në një projekt zhvillimi imobiliar në Beograd, që parashikonte rizhvillimin e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë - një objekt pjesërisht i shkatërruar, i ruajtur deri më sot si memorial i bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Planet për ta shndërruar këtë kompleks në një zhvillim luksoz, që sipas raportimeve lidhej me rrjetin e Donald Trumpit, shkaktuan zemërim të madh publik dhe çuan në tërheqjen e projektit. Depërtimi i Kushnerit në Ballkan është tregues i një transformimi më të gjerë të hegjemonisë amerikane në rajon, të cilin disa analistë e kanë quajtur tashmë “doktrina ballkanike e Trump”
Në Serbi, Shtetet e Bashkuara ishin investitori i tretë më i madh i huaj në vitin 2024 dhe nënshkruan një marrëveshje historike bashkëpunimi në sektorin e energjisë me qeverinë serbe. Në muajin maj, një projekt hidroenergjetik i paralajmëruar më herët, me vlerë 2,6 miliardë euro – hidrocentrali Đerdap 3 - u promovua edhe nga Ambasada e SHBA-së në Serbi.
Dinamika të ngjashme po shfaqen edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku investimet amerikane arrinin në vetëm 6.1 milionë euro në vitin 2022. Megjithatë, ato pritet të rriten ndjeshëm, pasi Shtetet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar një marrëveshje prej 1.5 miliardë eurosh mes Bosnjës dhe Kroacisë për ndërtimin e një tubacioni të gazit natyror të lëngshëm (LNG), që do të lidhë dy vendet.
Ky është një projekt me rëndësi strategjike për eksportet amerikane të LNG-së. Kompania që pritet të realizojë ndërtimin është AAFS Infrastructure and Energy, një kompani me bazë në Shtetet e Bashkuara dhe e lidhur me Donald Trumpin, e cila tashmë gëzon mbështetjen zyrtare të shtetit boshnjak.
E njëjta qasje po transformon edhe Shqipërinë, ku investimet amerikane u rritën nga rreth 100 milionë dollarë në vitin 2020 në mbi 300 milionë dollarë në vitin 2023. Edhe kjo prirje pritet të përshpejtohet, pasi Shtetet e Bashkuara synojnë ta shndërrojnë Shqipërinë në një qendër rajonale të gazit natyror të lëngshëm, përmes një projekti prej 6 miliardë dollarësh në bashkëpunim me Greqinë.
Kështu, investimet amerikane në sektorin e energjisë po transformojnë të gjithë Ballkanin.
Kjo përputhet me strategjinë e parashikuar në “Western Balkans Democracy and Prosperity Act” (Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor), të miratuar nga Kongresi amerikan në tetor 2025.
E njëjta strategji përfshin përpjekjet e SHBA-së për të kufizuar ndikimin kinez dhe rus dhe shpjegon pse, më pas, sektori energjetik i Serbisë, i kontrolluar nga kapitali rus, u përball me sanksione, duke shkaktuar paqëndrueshmëri në furnizim dhe presion mbi monedhën kombëtare.
Kjo pasqyron një strategji më të gjerë për kufizimin e rrjedhave energjetike mes partnerëve
të Kinës, nga Venezuela deri në Iran. Në këtë kontekst, Ballkani është bërë pjesë e rikonfigurimit të hegjemonisë amerikane në shkallë globale. Vetëm brenda këtij konteksti mund të kuptohet projekti prej 1.4 miliardë dollarësh i Jared Kushnerit në Shqipëri.
Dhe ai nuk është një rast i izoluar. Edhe Peter Thiel ka shprehur synimin për të ndërtuar një qytet mesdhetar të banuar nga specialistë të teknologjisë së informacionit dhe një elitë të përzgjedhur sipas kritereve racore, ku kapitali vendoset haptazi mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Zgjerimi i kapitalit amerikan në rajon, pra, nuk sinjalizon vetëm rritje të investimeve, por edhe zgjerim të ndikimit mbi shtetet ballkanike. Po hapet një “Kuti e Pandorës” me projekte të shumta, disa prej të cilave janë shumë shqetësuese.
Në fakt, Ballkani po shndërrohet edhe një herë në një arenë të konkurrencës gjeopolitike mes fuqive të mëdha, me pasoja potencialisht destabilizuese për Evropën. Kjo është edhe një arsye tjetër strukturore pse solidariteti brenda Ballkanit do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Qytetarët e Shqipërisë dhe të Serbisë kanë çdo të drejtë të pyesin nëse shtetet e tyre funksionojnë si përfaqësuese të interesave të qytetarëve apo si ndërmjetëse të kapitalit global, duke ua imponuar popullsive të tyre kushtet e këtij kapitali.
Të njëjtën pyetje po e shtrojnë edhe qytetarët e Bosnjës. Edhe pse protestat në Bosnje mbeten ende të lokalizuara, në raste të mëparshme ato janë përhapur në të gjithë vendin, siç ndodhi në vitin 2014.
Në të tria rastet, shtetet ballkanike po shfaqen gjithnjë e më shumë si instrumente të kapitalit të huaj dhe të projekteve të tij ambicioze, ndërkohë që shtypin qytetarët e vet. Historikisht, Ballkani është karakterizuar nga një copëzim i formësuar si nga konfliktet kombëtare, ashtu edhe nga ndikimet konkurruese të fuqive të jashtme.
Këto ndarje e kanë bërë rajonin të prekshëm ndaj shfrytëzimit të burimeve natyrore. Kapërcimi i tyre është, për rrjedhojë, thelbësor nëse synohet ndërtimi i një strategjie mbarëballkanike - qoftë politike apo ekonomike - për t'iu përgjigjur asaj që po merr gjithnjë e më shumë trajtën e konflikteve të ndërmjetësuara për kontrollin e burimeve natyrore.
Çështje të tilla si nxjerrja e mineraleve dhe degradimi i mjedisit i tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe krijojnë interesa materiale të përbashkëta, të cilat mund të artikulohen përtej tyre, pa u mbështetur te shtetet që promovojnë projekte shkatërruese. Në këtë kuptim, rajoni duket se po hyn në një fazë të re.
Deri më sot, lëvizjet e izoluara dhe të kufizuara brenda kufijve kombëtarë kishin pak gjasa të përballeshin me sukses me forma transnacionale të pushtetit. Për këtë arsye, mbështetja e protestave në Shqipëri nga Serbia, Bosnja dhe vendet e tjera të Ballkanit nuk është vetëm një detyrim moral, por edhe një domosdoshmëri strategjike.
Nëse Ballkani dëshiron të shmangë shndërrimin në një periferi të mega-projekteve të elitave dhe në një terren ku fuqitë e mëdha përplasen për kontrollin e burimeve natyrore, atëherë duhet të mendojë përtej logjikës së shtetit-komb. Kjo krijon njëkohësisht mundësinë për të rimenduar vetë idenë e Ballkanit.
Së fundmi, Aleanca Rajonale për Mbrojtjen e Natyrës së Ballkanit, një rrjet me mbi tridhjetë organizata nga i gjithë rajoni, ku bën pjesë edhe Aleanca e Organizatave Ekologjike të Serbisë, shprehu mbështetjen e saj të plotë për aktivistët mjedisorë, komunitetet lokale dhe qytetarët që protestojnë në Shqipëri.
Po ashtu, ka pasur edhe raste, ndonëse të kufizuara, të bashkëpunimit ndërkufitar mes komuniteteve lokale në Bosnje dhe Serbi në luftën kundër nxjerrjes së litiumit. Mund të thuhet, pra, se po krijohen kushtet për një formë të re integrimi rajonal.
Megjithatë, pengesat për një bashkëpunim më të gjerë shoqëror mbeten të konsiderueshme. Bosnja, Serbia dhe Shqipëria kanë opozita të dobëta, të paafta për ta kanalizuar këtë energji shoqërore ose, në disa raste, madje edhe kundërshtare të saj.
Nëse do të shfaqet një opozitë e re politike me një vizion alternativ dhe nëse ajo arrin ta artikulojë atë në mënyrë bindëse - diçka që lëvizja studentore në Serbi e kishte, të paktën pjesërisht, potencialin ta bënte - një bashkëpunim i tillë mund të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e Ballkanit.
Të paktën, momenti aktual mund të jetë duke krijuar kushtet që rajoni të marrë një rol të ri.
Së fundi, nuk mund të anashkalojmë një ide të vjetër. Projektet për një federatë ballkanike u konceptuan një shekull më parë nga frika se i gjithë rajoni mund të vihej nën varësinë e fuqive të mëdha - pikërisht procesi që shumëkush mendon se po zhvillohet edhe sot.
Kjo e vendos Ballkanin përballë një zgjedhjeje. Rajoni mund të shndërrohet edhe një herë në një koloni të burimeve natyrore, siç druhen shumë prej protestuesve. Ose mund ta shmangë këtë fat duke zgjedhur rrugën e solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Për ta bërë këtë, duhet së pari të kuptojë se çfarë është në lojë./Pamfleti nga “Jacobin”
Analize e perkryer! Komplimenti!
Ka të drejtë. Ballka i po kthehet. në koloni Bankersi është më tipike ku ambasadori amerikan shkarkon prokurorin nga që i del në krah fshatarëve. Vërtet komunizmi Kamboxhia a Enverian është një tmerr por dhe Amerika nelliberale e ë Reganit e shkatërroi eko ominë shqiptare. Përse Amerika me luftërat e saja qënkesh më e mirë se Suedia a Finlanda.