Orges Shehi nuk do të jetë më në stolin e Tiranës. Klubi i Prishtinës ka zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes me trajnerin shqiptar, i cili do të drejtojë ekipin kryeqytetas në sezonin e ri të Superligës së Kosovës.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prishtina e ka vlerësuar Shehin si një trajner me eksperiencë të konsiderueshme dhe rezultate të rëndësishme në karrierën e tij, duke shprehur besimin se ai do të kontribuojë në realizimin e objektivave të klubit.
Për teknikun 48-vjeçar, ky është një rikthim në futbollin kosovar, pasi më herët ka drejtuar Ballkanin. Eksperienca e tij e fundit ishte në krye të Tiranës, ku mori drejtimin e skuadrës në një moment të vështirë dhe arriti të siguronte mbijetesën e bardhebluve në Superiore.
Me emërimin e Shehit, Prishtina synon të ndërtojë një projekt konkurrues dhe të rikthehet mes pretendentëve kryesorë për trofetë në futbollin kosovar.
Njoftimi i Prishtinës:
FC Prishtina njofton se ka arritur marrëveshje me trajnerin Orges Shehi, i cili do ta drejtojë ekipin tonë nga sezoni i ardhshëm.
Shehi vjen në kryeqytet me një përvojë të madhe në futbollin shqiptar dhe rajonal, pasi gjatë karrierës së tij ka udhëhequr skuadra të njohura si Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Ballkani dhe së fundmi Tirana.
Gjatë periudhës te Tirana, ai fitoi titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë, ndërsa me Skënderbeun triumfoi në Superkupën e Shqipërisë. Për punën dhe sukseset e tij, Shehi është shpallur dy herë “Trajneri i Vitit” në Shqipëri, në vitet 2022 dhe 2023.
Përveç karrierës si trajner, Orges Shehi ka pasur edhe një karrierë shumë të suksesshme si portier, duke qenë një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar ndër vite.
Pas zyrtarizimit të marrëveshjes me klubin, trajneri Orges Shehi u prononcua:
“Është kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe që jam pjesë e një klubi si Prishtina. Shpresoj dhe besoj se të gjithë së bashku, klubi, stafi teknik, lojtarët dhe tifozët do të bëjmë maksimumin për ta rikthyer FC Prishtinën aty ku i takon”.
FC Prishtina i uron mirëseardhje Orges Shehit dhe shumë suksese në drejtimin e klubit tonë.”
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje