Me komandë nga maja e pushtetit, skema e vjetër e vjedhjes së votës rikthehet si rrugë e vetme për mbijetesë politike, ndërsa fishkëllima nga Amerika paralajmëron ndalesën e fundit.

Manipulimi industrial i votave të 11 majit, përmes skemës së njohur si “treni bullgar”, nuk është veçse një grumbullim njerëzish të komanduar që janë nisur për udhë.
Meqë nuk po kalonte ndonjë tren amerikan, nuk kishin ç’të bënin tjetër, u ngjitën në “trenin bullgar”, të vetmin që kishte vende të lira për në pushtet.
Ky veprim u organizua me porosi të drejtpërdrejtë nga vetë komandanti, i cili e ka ditur prej kohësh se pa ndihmën e këtij treni të blinduar, nuk ka stacion tjetër në horizont për vitin 2029.
Trimat e pushtetit ishin në çdo ndalesë me fletë votimi në duar, të gatshëm për t’i hedhur aty ku duhej, mjaftonte vetëm të hapej dera.
Komandanti nuk donte trazira të mëdha, ndaj urdhri për përdorimin e “trenit bullgar” ishte mënyra për të shmangur përplasjen me tankun e ndryshkur të Ilir Metës, i cili edhe sikur të nisej, nuk mund të shtypte gjë.
Ndërkohë, Saliu, një bari delesh me disa qen stani, nuk priste as tren, as makinë, as karrocë, por vetëm një stinë tjetër për të mbledhur ndjekësit në livadh.
Në këtë itinerar të paracaktuar, të gjithë kriminelët e pushtetit kishin prenotuar biletat që në kohën e ambasadores Yuri Kim, duke u përgatitur për udhëtimin që nuk do ndalej në asnjë ndalesë të drejtësisë.
Ironia e fatit është se dje, pikërisht për këta pasagjerë të “trenit bullgar”, u dëgjua një fishkëllimë treni nga Amerika.
Ambasada amerikane publikoi një fashikull për “udhëtime kolektive drejt të nesërmes”, duke theksuar përmes deklaratës së Sekretarit Rubio se SHBA është e vendosur për t’i dhënë fund emigracionit të paligjshëm dhe për të ruajtur sigurinë kombëtare.
Standardet e reja për aplikantët për viza dhe zonat e mbrojtura përgjatë kufirit jugor janë shembuj të këtij përkushtimi. Por ata që kanë udhëtuar me kohë me “trenin amerikan” e kanë kaluar kufirin me pasuri në duar.
Nga vëllai Olsi e deri te Fatmiri i fishekëve të Gërdecit, vilat dhe bizneset e të gjithëve janë në SHBA.
Mafiozët shqiptarë kanë përdorur emigracionin e paligjshëm jo si mjet shpëtimi, por si rrugë për të legalizuar pasurinë dhe për të ndërtuar perandori financiare jashtë vendit.
Në këtë skemë udhëtimesh të dirigjuara, opozita duket më shumë si një tufë e harruar në livadh, që nuk pret as tren amerikan, as bullgar, e as kinez. Thjesht stërkatet aty ku mundet, duke kërkuar hije në ndonjë parcelë të pushtetarëve, të cilët biletat i kanë gjithmonë në xhep dhe nuk ngurrojnë të hidhen në trenin që garanton stacionin e pushtetit, pa pyetur nga vjen apo kush e komandon./Pamfleti
Lini një Përgjigje