Ja si do ndahen biletat e inaugurimit të Trump më 20 janar...
20 janari pritet të jetë një ngjarje e madhe botërore. Donald Trump do të betohet për herë të dytë si president i SHBA, në një ceremoni madhështore.
Përgjithësisht inaugurimet e presidentëve kanë qenë të veçanta dhe kanë tërhequr vëmendje, por këtë herë situata është ndryshe. Të gjithë duan t’i bëjnë përshtypje Trump dhe ka një konkurrencë të madhe nga e gjithë bota për të marrë pjesë në atë ceremoni.
Në vitet e kaluara pjesë e të tilla evenimenteve janë bërë dhe politikanë shqiptarë. Rasti më i fundit është ai i pranisë së Ilir Metës dhe Petrit Vasilit në inaugurimin e parë të Trump në vitin 2017. Por duket se prezenca aty e mori në qafë Metën, kjo pasi ish-presidenti kishte paguar mijëra dollarë për të qenë aty prezent dhe nuk i deklaroi.
Por si funksionon procesi i inaugurimit dhe i marrjes së biletave? Komiteti i Përbashkët i Kongresit për Ceremonitë Inauguruese (JCCIC) është përgjegjës për planifikimin e të gjitha aspekteve të ceremonisë duke përfshirë ndarjen e biletave. Në pamje të parë biletat ndahen nga ligjvënësit amerikanë, pra senatorë apo kongresmenë. Çdo përfaqësues do të marrë një numër të kufizuar biletash dhe ai do t’i ndajë për votuesit e tij në zonët elektorale. Pasi bëhet aplikimi në një faqe zyrtare, më pas bëhet dhe ndarja e biletave. Kur ka shumë kërkesa, zakonisht ligjvënësit i ndajnë me short.
Por ka dhe bileta VIP. Ekipi i Trump ka prezantuar një listë përfitimesh për donatorët e inaugurimit me paketa që fillojnë nga 50,000 dollarë. Donatorët të cilët ose japin 50,000 dollarë ose mbledhin 100,000 dollarë, marrin dy bileta për një tubim dhe pritje të planifikuar për të shtunën para inaugurimit, si dhe dhoma hoteli dhe ftesat për ceremoninë e betimit të 20 janarit, paradën dhe ballon e mbrëmjes. Vetëm ata që japin 1 milion dollarë ose mbledhin 2 milion dollarë do të marrin dy vende në një darkë të 18 janarit me Zëvendës Presidentin e zgjedhur JD Vance dhe gruan e tij, Usha Vance.

Ndërkohë ka kompani të caktuara që i blejnë biletat. Nëse futesh në internet, shihet që biletat fillojnë nga 1.5 mijë dollarë dhe variojnë madje deri në 10 mijë dollarë kur janë paketa bashkë me hotelin. Po ashtu çmimi varet nga vendi i qëndrimit.

Pra nëse politikanët shqiptarë do të duan të marrin pjesë në ceremoni, ka dy mënyra: ose të lobojnë fort te senatorë dhe kongresmenët me shpresën se ata do tu japin ndonjë biletë, ose të paguajnë agjencitë që sigurojnë pjesëmarrjen.
Vetë Trump ka ftuar vetëm disa personazhe kyç. Presidenti kinez Xi Jinping ishte i pari ftuar në ceremoni. CBS Neës gjithashtu raportoi se kryeministri hungarez Viktor Orbán është ftuar, po ashtu Presidenti i El Salvadorit Nayib Bukele, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti argjentinas Javier Milei. Rusia konfirmoi se Presidenti Vladimir Putin nuk mori një ftesë.
Në Tiranë thuhet se po bëhet luftë e madhe për të marrë pjesë në atë ceremoni, si nga deputetë të PS ashtu edhe nga përfaqësues të PD. Kjo pasi jemi dhe në prag të zgjedhjeve dhe politika shqiptare vijon ende mendon se një foto me Trump mund të të japë fitoren. Mos harrojmë se përveç Metës që sot është në burg, nën hetim u vu dhe Basha për një foto me Trump. Po ashtu kemi dhe foton e Ramës me Obamën, ku ai që siguroi takimin hyri në burg. /Pamfleti
Lini një Përgjigje