Nga sipërmarrësi që sfidoi oligarkët, në themelues partie; a mund të jetë Agron Shehaj lideri i ri i së djathtës konservatore?
Sondazhi kombëtar i kompanisë amerikane “McLaughlin and Associates” nxjerr në pah një situatë të re politike në Shqipëri, e cila bie në kundërshtim me sondazhet evropiane. Kjo kompani, e njohur si "sondazhisti i Trump", e vendos partinë “Mundësia” të Agron Shehajt me një diferencë të konsiderueshme mbi koalicionin e Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit. Në këto të dhëna, "Mundësia" e Shehajt ka 5.3%, ndërsa koalicioni Lapaj-Shabani vetëm 3.3%.
Rezultatet e 11 majit do të tregojnë saktësinë e këtij perceptimi, por pavarësisht kësaj, dalja e papritur e Agron Shehajt si aktor politik me një parti të vetën përbën një risi.
Shehaj është zgjedhur deputet i PD-së në dy mandate të njëpasnjëshme, fillimisht në qarkun e Vlorës dhe më pas në Tiranë. Ai është i njohur publikisht për dy arsye kryesore: së pari, për profilin si biznesmen i suksesshëm në sektorin e call center-ave, kryesisht me kompani italiane, dhe së dyti, si denoncues i fortë kundër oligarkëve, në veçanti kundër Bashkim Ulajt, të cilit i zbuloi falsifikimin e dokumenteve në tenderin e Unazës së Madhe.
Ndryshe nga disa drejtues të opozitës që kanë flirtuar me oligarkët, Shehaj nuk është përfshirë në marrëveshje me para publike. Përkundrazi, ai e ka ndërtuar karrierën e tij të biznesit në sektorin privat, duke krijuar një rrjet të gjerë kontaktesh që e ka shfrytëzuar edhe politikisht.
Në zgjedhjet e vitit 2021, në njësinë 7 në Tiranë, Shehaj arriti një rezultat të rëndësishëm të preferencave personale, duke e vendosur veten si figurë të fuqishme në territor.
Shehaj është i njohur gjithashtu për aktivitetin e tij prej filantropi. Përveç dhurimit të rrogës si deputet për familjet në nevojë, ai financon Fondacionin Kulturor "Lumo Skëndo", i cili promovon veprën e Mit’hat Frashërit dhe autorëve të tjerë të censuruar gjatë komunizmit. Ai gjithashtu financon fondacionin "Kujtesa", që dokumenton krimet dhe persekutimet e diktaturës komuniste, si dhe ndihmon financiarisht familjet dhe fëmijët me aftësi të veçanta.
Megjithatë, sa do të mundet që biznesmeni dhe filantropi Agron Shehaj të kthehet në një lider politik të rëndësishëm? Ky është ende një diskutim i hapur. Deri tani, Shehaj është parë më shumë si komunikues i mirë dhe përdorues i teknologjisë, por ai ende nuk ka prezantuar një platformë të qartë për çështjet kyçe të së djathtës konservatore, siç janë pronat dhe reforma e thellë e administrimit të tyre.
Një parti e re e së djathtës nuk mund të qëndrojë pa prekur probleme thelbësore si ligji famëkeq 7501 apo ndarja e padrejtë e pronave. Për të qenë një forcë serioze opozitare, Shehaj duhet të ketë një projekt politik më të qartë dhe më të gjerë, përtej aspektit individual të suksesit të tij personal dhe të filantropisë.
Agron Shehaj mund të jetë sot një lider potencial për të ardhmen e opozitës, por për të kaluar nga politikan në lider, duhet të ndërtojë një ekip profesionistësh dhe politikanësh të vërtetë që e mbështesin atë. Nëse ai nuk bën një hap vendimtar në këtë drejtim, partia e tij mund të ketë sukses relativ, por nuk do të jetë më shumë se një "partiçkë".
Shembulli më i mirë për Shehajn mund të jetë ai i Giorgia Melonit në Itali. Partia e saj fillimisht e vogël u bë liderja e padiskutueshme e së djathtës konservatore italiane falë një programi politik të qartë dhe një ekipi të fortë ekspertësh dhe profesionistësh. Në këtë rrugë duhet të eci edhe Agron Shehaj, nëse kërkon të jetë më shumë se thjesht një politikan popullor./Pamfleti
Lini një Përgjigje