
A do ta njihte Kosovën Aleksandri, nëse Edi do të zgjidhej KM i Kosovës?
Edi Rama i ka hipur dron-it! Lëre se ka kapur qiellin, por edhe nëpër tokë po ecë me hapa kilometrik. Ja ka vjedhur çizmet Albin Kurtit dhe me hapa prej 7 miljesh po shkon drejt Nobelit për paqe. Albini nuk do, por Edi do të nënshkruaj paqen me Aleksandrin. Mundet thua? E pse jo, nëse Kosova është Shqipëri? Por, nuk është. Po të ishte Shqipëri, Kurti do të kishte vetëm një nënshtetësi.
Nejse! Është hutuar Edi! Por, ata që u hutuan më së shumti nga reagimi ndërkombëtar kundër sjelljes së Kosovës si Shtet, ishin qytetarët e Kosovës. Por ky nuk është një rrëfim për të hutuarit dhe të çmendurit. Bëhet fjalë vetëm për të çmendurit. U çmendën rusët në Ukrainë duke rrënuar hidrocentrale e përmbytur qytete, u çmendën specialët serb, u veshën si protestues paqësorë dhe rrahën paq KFOR-in, u çmend BE duke fajësuar Kosovën që po sillet si shtet, u çmend Aleksandri duke kërkuar përgjegjësi...për diçka. U çmendën kosovarët duke belbëzuar BEEE! E si të mos çmendej Edi Rama? Në krejt këtë tollovi, Rama shpalosi idenë e tij për asociacionin dhe u bë yll.
Përndryshe, Edit nuk ja ha qeni shkopin për publicitet. Fillimisht, për publicitet përdorte çka do që i vinte përdore, e tani punon me sistem. Sistemi është ai vetë. Individ që funksionon si sistem.
Në fillim fare mjaftuan fotot nudo për ta marrë krejt vëmendjen e publikut, pastaj nuk mjaftuan më. Kollaret, atletet, kombinimet origjinale të stileve tradicionale e (post)moderne, koshat e basketbollit, qeramikat, politikat, dashuriçkat (politike) me liderët rajonalë, me Ballkanin e (pa)hapur, ERTV, gazetarët milionerë, me një fjalë; me gjithçka.
Dikur liderët e këtij kalibri (ndër)kombëtar kishin agjitpropin e vet, tani agjit-propet kanë Edin. Të gjithë armiqtë historik të shqiptarëve e duan Edin. Këtu diçka nuk shkon; o me ne o me armiqtë!
Por, tani Edi nuk e bëri për publicitet. Synon kandidaturën për kryeministër të Kosovës, Edi? Do ta njihte Kosovën Aleksandri, nëse Edi do të zgjidhej KM i Kosovës? Po e pyes AI! U bllokua AI. Nuk e kap as Inteligjenca Artificiale, Ballkanin. Ndërsa Edi për gjithçka ka ide, e përse të mos ketë për Asociacionin.
Por një ditë do të shterojë edhe oqeani i ideve të tij. Dikur shoku Enver e ngiste vet traktorin, e ky nuk e bën dot. Është jashtë mode traktori tani. Nuk ka vota nga bujqit. Pastaj, si do të dukej Edi me atlete, me kollare dhe duke i dhënë traktorin që më tepër ngjante me një tank. Tani, Edi e paralajmëroi auto-ambulancën shqiptare. E di Edi se cili biznes do të lulëzojë. Do të lulëzojnë vetëm lulet që u hapë diellin, Edi.
Por, as autoambulanca shqiptare nuk do të ishte mesazh i fortë. Ai e nget auto-ambulancën ndërkohë që e shoqëron kolona zanore: “ Alo, Alo ambulanca, zemra e kujt është e sëmurë?”. Nuk vete se Edi e ka zemrën top.
Por, gjithsesi mund ti hipë... dronit. Kjo po që do të bënte figurë. Ti hipësh dronit sot i bie sikur t’i hipje fshesës dikur. Me një fjalë tip simpatik, popullor, politikan. Pastaj dronët nuk kanë as pilot. Fluturojnë edhe nga qendra komanduese, ose nga zyra e tij. Do kënaqemi me komentet.
Natyrisht, do të ishte ky një “tour” fantastik, nëpër hapësirën ajrore të Ballkanit ende të (pa)hapur.
Sa për sqarim, nuk e kam fjalën për dronët luftarak “Bajraktar” të cilët i bleu Shqipëria, edhe Kosova, ata dihet përse, nga kush por edhe sa i kemi blerë. Dron-it të paqes, i ka hipur Rama. Thjeshtë, është ngritur mbi dy deshët e politikës rajonale, që kanë mbetur të bllokuar mbi një tra, më saktë mbi një urë.
Njëri thotë është gjashtë e tjetri thotë është nëntë, duke shikuar të njëjtin numër. Në mes tyre, zbret Edi, me draftin e asociacionit nën sqetull. Thuhet se e kanë punuar në mënyrë konfidenciale ekspertët e ...Edit. Por, mund ta ketë kërkuar edhe nga AI . Inteligjenca Artificiale e shkruan një draft për pak minuta.
“Ju nuk jeni kompetent, nuk jeni objektiv që të bëni draftin. Ju jeni pjesë e konfliktit”, u thotë Edi, Aleksandrit dhe Albinit, pa zbritur nga Droni. Lexojeni, nënshkruajeni draftin tim dhe hapeni ... Ballkanin.
Përndryshe vera erdhi edhe në Kosovë. Sezoni i dasmave po fillon. Këngët më të preferuara do të jenë sërish “Do ta kallim fitilin e llampës” dhe “Doli një gjarpër me na ngrënë...”.
Falë gjakftohtësisë së NATO-s shpëtuam nga zjarri lindor. E sa për gjarpër ... nuk ka shtëpi pa gjarpër, Edi./Pamfleti