TAGS-AT E JAVËS

Editorial19 Qershor 2025, 09:37

Mr. Mike, bombat nuk të bëjnë burrë shteti

Shkruar nga Gjergj Zefi

Kur ambasadorët frymëzohen nga Hiroshima dhe liderët krahasohen me Trumanin, bota nuk po shkon drejt paqes, por po kthehet në 1945, vetëm se këtë herë më me shumë armë e teknologji dhe më me pak mend...

Mr. Mike, bombat nuk të bëjnë burrë shteti
Ambasadori Mike Huckabee dhe Presidenti Trump /

Amerika në duart e fantazmave atomike...

Në kulmin e një përplasjeje globale të paprecedentë mes Iranit dhe Izraelit, kur vendet me arsenale bërthamore po i afrohen me hapa të frikshëm logjikës së katastrofës, një ambasador amerikan në Tel Aviv mendoi se ishte momenti i duhur për të kujtuar... Hiroshima-n.

Jo për të reflektuar mbi të, jo për ta dënuar si akt barbar të shekullit XX, por për ta propozuar si “inspirim presidencial” për Donald Trumpin.

Mike Huckabee, ambasador amerikan, ish-guvernator republikan dhe pastor baptist, nuk foli si diplomat, por si fanatik. Në një letër të hapur drejtuar Donald Trumpit, ai e fton që të frymëzohet nga vendimi i Harry Trumanit për të hedhur bombën atomike mbi Japoninë, në vitin 1945. Me fjalët e tij, “asnjë president nuk ka qenë në një pozicionin Tuaj, përveç Trumanit”.

Në një kontekst tjetër, kjo do të quhej thjesht keqkuptim historik. Por sot, në 2025, është një propagandë e rrezikshme.

Kur të frymëzon bomba, jo diplomacia

Çfarë përfaqëson Harry Truman në histori? Një president që, në një akt të diskutueshëm nga çdo prizëm moral dhe strategjik, lëshoi bombën atomike mbi Hiroshimë dhe Nagasaki, duke vrarë qindra mijëra njerëz dhe duke i hapur rrugë epokës së frikës bërthamore.

Dhe ironia? Ai nuk e bëri për të ndalur Japoninë, e cila në atë moment ishte thuajse e dorëzuar; por për të frikësuar Bashkimin Sovjetik dhe për të shfaqur “muskujt” e SHBA-së si një fuqi e re botërore.

Por, Stalini nuk u frikësua. Përkundrazi, e kishte ndërtuar bombën që më përpara. Në vend të frikës, bombat e Truman hapën garën bërthamore. Luftën e Ftohtë. Vietnamin. Afganistanin. Irakun. Dhe tani, Ukrainën e Gazën.

Dhe këtë model, Huckabee ua propozon sërish botës.

Kur diplomacia vdes dhe shërbimi diplomatik bëhet zjarrvënës

Në vend që të jetë zë i arsyes, ambasadori amerikan në Izrael i fryn luftës si një fanatik që kërkon spektakël dhe jo zgjidhje. Nuk flet për paqe. Nuk flet për ndalim të gjakderdhjes. Nuk përmend qindra mijëra viktima civile në Lindjen e Mesme.

Flet për burrëri presidenciale që matet me "vendime të mëdha". Dhe me këtë logjikë, e promovon Trumpin si një Truman të ri. Dikush që mund të vendosë një tjetër precedent apokaliptik, këtë herë ndoshta mbi Teheran, ose ndonjë tjetër pikë gjeografike ku e “kërkon situata”.

Problemi nuk është thjesht retorika. Problemi është se një retorikë e tillë është e organizuar, e qëllimshme dhe përgatitore për diçka që mund të vijë.

Nga Truman te Trump: kur historia keqpërdoret për të legalizuar katastrofën

Ashtu si Truman, edhe Trump ka një elitë përreth që i pëshpërit në vesh se “burrat e vërtetë” lënë gjurmë me bomba, jo me marrëveshje. Se nuk ka nevojë për diplomaci, por për show. Për spektakël. Për “fitore të mëdha”.

Por realiteti është se botës nuk i mungon një tjetër Truman. I mungon një tjetër Eisenhower. Një gjeneral që ndaloi industrializimin e luftës dhe që e kuptoi çmendurinë e garës bërthamore.

Sot, bota drejtohet nga përbindësha që nuk i interesojnë viktimat, por objektivat. Nuk mendojnë për pasojat, por për fjalimet që do mbajnë pas sulmit. Nuk kanë frikë nga historia, sepse nuk e njohin, ose më keq, e përdorin si justifikim për të përsëritur më të keqen. Mjerë ne, që po kthehemi në vitin 1945, por me shumë Stalinë dhe Trumanë

Dikur, Lufta e Dytë Botërore përfundoi me një tmerr që duhej të mos ndodhë “kurrë më”. Sot, po shkojmë drejt një “përsëri tani”, por këtë herë me më shumë teknologji, me më pak arsye dhe më shumë pastorë që duan ta shpallin bombën si bekim hyjnor.

Në këtë botë të kthyer përmbys, trillimi është strategji, ekstremi është normalitet, dhe barbaria kërkon lavdi.

Dhe ndërsa Huckabee i lutet Trumpit për “vendime të mëdha”, popujt e Lindjes së Mesme, Ukrainës dhe gjithë botës presin me frikë se cilës bombë do t’i vijë radha./Pamfleti

mr. mike bombat nuk të bëjnë burrë shteti

Lini një Përgjigje

Editorial