TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Qershor 2026, 11:59

Vrasja e efektivit Enea Mekolli, Presidenti Begaj bën homazhe

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e efektivit Enea Mekolli, Presidenti Begaj bën homazhe
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka marrë pjesë sot në homazhet e organizuara në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë operacionit policor të zhvilluar të enjten në Maliq.

Kreu i shtetit u takua me familjarët e të ndjerit, të cilëve u shprehu ngushëllimet për humbjen e rëndë.

Homazhet po zhvillohen mes dhimbjes së familjes, kolegëve dhe qytetarëve që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit efektivit të rënë në krye të detyrës.

Enea Mekolli do të prehet në varrezat e vendlindjes së tij. Ndonëse protokolli parashikon që “Dëshmorët e Atdheut” të prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, familja ka kërkuar që ceremonia e varrimit të zhvillohet në vendlindje.

Sipas familjarëve, kjo ishte dëshira e tyre pasi më herët kishin humbur edhe djalin tjetër, i cili kishte ndjekur të njëjtin profesion dhe kishte shërbyer si efektiv policie përpara se të ndërronte jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Për këtë arsye, familja kërkoi që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit.

Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit është parashikuar të zhvillohet në orën 14:00.

Një ditë më parë, pranë familjes Mekolli për të shprehur ngushëllimet ishin edhe Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Enea Mekolli humbi jetën gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari në zonën e Lozhanit, Maliq. Sipas të dhënave paraprake, gjashtë efektivë të forcave “Shqiponja” ishin angazhuar në operacion, por Braçellari hapi zjarr ndaj tyre, duke lënë të vrarë Mekollin dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri.

Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur edhe vetë Violand Braçellari, i cili mori dëmtime në bark dhe në dorë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

vrasja e efektivit enea mekolli presidenti begaj homazhe

1 Komente

  1. L
    Loni nga Lushnja

    President koti.Nga gjeneral e ktheu piktori ne ushtar.

    Lini një Përgjigje