TAGS-AT E JAVËS

Editorial 5 Korrik 2025, 18:41

Si ndihesh Giorgia?

Shkruar nga Pamfleti

Nga Trattoria "Meloni" te banda e Suel Çelës dhe 'Porti i Durrësit'; lidhjet e errëta të Shqipërisë së Edi Ramës me Italinë e Giorgia Melonit

Si ndihesh Giorgia?

Italia e Giorgia Melonit po përfshihet gjithnjë e më shumë në një rreth vicioz marrëveshjesh me një Shqipëri që qeveriset nga krimi i organizuar dhe lidhjet klienteliste.

Shqipëria nuk është më thjesht një vend fqinj që pret të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Nën qeverinë e Edi Ramës, ajo është kthyer në një platformë të përshtatshme për operacione të errëta ekonomike, marrëveshje të dyshimta politike dhe përthithje të interesave të errëta të jashtme. Në emër të bashkëpunimit strategjik, po ndërtohet një aleancë që përfiton më shumë krimi i organizuar sesa qytetarët e ndershëm. Marrëveshja për ngritjen e kampeve të migrantëve është vetëm maja e ajsbergut, ajo fsheh një sistem të tërë klientelist që po kalon nën radarët e publikut italian dhe europian.

Në këtë panoramë të errët, një institucion i vetëm po tregon se si luftohet realisht krimi: Guardia di Finanza e Italisë. Me goditje precize dhe të dokumentuara, me aksione që shkojnë në zemër të trafikut ndërkombëtar, Guardia di Finanza po godet pa mëshirë 'shokët' e Edi Ramës dhe po i tregon Giorgia Melonit fytyrën e tij të vërtetë; atë që nuk ia tregojnë as ambasadat, as raportet e buta diplomatike. Aty ku SPAK dhe drejtësia shqiptare shmangin, italianët veprojnë. Anti-Mafia në Itali po i tregon Giorgia Melonit me fakte se me kë ka bërë marrëveshje dhe kujt po i jep besimin dhe fondet e shtetit italian. 

Edi Rama ka shumë 'shokë' problematik dhe nuk do të mundeshim t'i përmendim të gjithë, por sot do të ndalemi tek disa prej tyre; të cilët mund të kenë interes edhe per partnerët tanë ndërkombëtarë. 

Suel Çela: Një nga figurat më të errëta që lidh politikën shqiptare me krimin ndërkombëtar është Suel Çela. Ai përfaqëson nyjen kryesore të lidhjes së Edi Ramës me bandat në qarkun Elbasan.

Edhe pse në kërkim nga SPAK, ai ka vazhduar të veprojë në prapaskenë, i mbrojtur nga lidhje të forta politike. Por ndërsa drejtësia shqiptare shmang emrat e rrezikshëm, Guardia di Finanza në Itali ka vepruar pa mëshirë.

Në aksionin më të fundit, autoritetet italiane sekuestruan mbi 4 milionë euro pasuri të lidhura direkt Suel Çelën. Hetimet zbulojnë një rrjet të gjerë trafiku nga Amerika Latine drejt Europës, ku Shqipëria përdorej si korridor për ngarkesat e kokainës.

Suel Çela, për vite me radhë, ka qenë makineri votash për Partinë Socialiste të Edi Ramës, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatet elektorale në qarkun e Elbasanit.

Për më tepër, burime operative të sigurta konfirmojnë se Çela është tashmë në qendër të një ndjekjeje ndërkombëtare të avancuar dhe shumë shpejt do të bjerë në grackë. Arrestimi i tij është çështje kohe; dhe këtë herë Partia Socialiste e Edi Ramës nuk do ta shpëtojë dot.

Gjergj Luca: Trafikant, shok i Ramës dhe pronari i Trattoria “Meloni”

Një emër i lidhur me trafik ndërkombëtar, pastrim parash dhe kapje të strukturave shtetërore. Pikërisht pronari i Trattoria “Meloni”, si shenjë nderimi për vetë Giorgian.

Edhe Deputeti italian Riccardo Magi, një nga zërat më kritikë ndaj marrëveshjes Rama–Meloni, e ka bërë pyetjen që askush nuk guxon ta shtrojë publikisht në Itali:

"A është e kënaqur Giorgia Meloni që emri i saj përdoret nga një sipërmarrës i akuzuar për trafik droge, mashtrim me fonde dhe vjedhje, që hap restorante me emrin e saj në Shqipëri?"

Një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve italian ndodhi në tetor 2022. Anija e Gjergj Lucës, “Open Balkan”, u ndalua në portin e Palermos nga autoritetet italiane. Nuk ishte duke transportuar peshk. Kishte ndjekur një rrugë që përkonte me itinerarët e rrjeteve të trafikantëve të migrantëve. E gjitha kjo ndodhi në kulmin e krizës së zbarkimeve, kur qeveria Meloni po ndalonte anijet humanitare në det. (vijon në artikullin e radhës...) 

Një rastësi? Apo një segment i një operacioni më të madh që po zhvillohet në heshtje, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare? 

Luca ka fituar kontrata qeveritare për furnizimin e kampeve të refugjatëve, një tjetër rast ku interesat private përzihen me politikat e migrantëve që mbështeten nga Italia. Dhe ndërkohë që SPAK hesht, Luca merr tenderë, blen (ose godet) mediat dhe vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me kryeministrin Edi Rama.

Qemal Beu - Ortak i Lucës, 'shok' i Edi Ramës

Qemal Beu është një emër i njohur në Durrës, i cili për vite ka mbajtur postin e kreut të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit. Ai është përfshirë në një sërë raportimesh dhe denoncimesh për abuzime me fondet publike dhe kontrata me kompani fantazmë. 

I rëndësishëm është roli i tij i dyshuar në skema të pastrimit të parave dhe trafikut detar, ku shfaqet si ortak në letra dhe bashkëpunëtor në prapaskenë i biznesmenit Gjergj Luca.

Sipas një informacioni të siguruar nga shërbimet e huaja partnere, Pamfleti mësoi se më datë 26.06.25, në Portin e Durrësit është zhvilluar një operacion i sinjalizuar nga Guardia di Finanza, me fokus hetimin e aktiviteteve kriminale në Portin e Durrësit. 

Në këtë hetim janë përfshirë Qemal Beu dhe grupi i tij, por operacioni është dekonspiruar, duke u dhënë kohë individëve të dyshuar të fshijnë gjurmët dhe të shmangin kapjen flagrante. Kjo goditje sabotohet nga rrjedhjet e brendshme në strukturat shqiptare, që mbrojnë njerëzit e pushtetit.

Qemal Beu është gjithashtu një mik i ngushtë i Edi Ramës, të paktën kështu mburret me të në çdo tavolinë, shfaq video, mesazhe e foto që tregojnë afrimitetin me kryeministrin. Kjo lidhje politike shpjegon pjesërisht mburojën që ka gëzuar ndër vite dhe ndoshta edhe arsyen pse hetimet e nisura shpesh janë zbehur apo devijuar. Edhe ky person është subjekt hetimi nga organet ligjzbatuese italiane. 

Në këtë kuadër, duhet ngritur zëri për rolin e Guardia di Finanza, e cila është një nga të vetmet struktura që po godet realisht krimin e organizuar shqiptar, në një kohë kur SPAK reagon vetëm kur nuk ka se si të shmanget. 

Ndërsa organet ligjzbatuese italiane hetojnë shokët e Edi Ramës, Meloni mban në fuqi marrëveshjen me të njëjtët individë që po përfaqësojnë Shqipërinë në këtë pakt të ashtuquajtur "strategjik". Në vend që të mbrojë Italinë nga rrjetet kriminale që hyjnë përmes politikës, ajo po i legjitimon. Ndërsa forcat italiane zbulojnë krimin, qeveria italiane e sponsorizon atë. Në këtë kontradiktë, pyetja është: a është Meloni e mashtruar nga Rama, apo është bashkëautore e lojës? /Pamfleti

 
 
 
 

 

giorgia meloni suel cela porti i durresit #trafik droge shqipëri-itali gjergj luca

Lini një Përgjigje