TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi29 Nëntor 2025, 15:21

Qeveria do e fillojë vitin e ri 2026 me borxhe; 450 milionë euro Eurobond dhe 150 milionë Euro me Bono Thesari

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria do e fillojë vitin e ri 2026 me borxhe; 450 milionë euro

Dokumentet e Ministrisë së Financave tregojnë se shteti nuk mbulon dot shpenzimet, projektet dhe këstet e borxheve, ndërsa eurobondet dhe bonot e thesarit vazhdojnë të shtohen

Megjithë propagandën për rritje ekonomike, të dhënat e siguruara nga “Pamfleti” tregojnë se buxheti i vitit 2026 nuk mbulon detyrimet fiskale dhe investimet. Qeveria po nis vitin me një eurobond të ri 450 milionë euro dhe 150 milionë euro borxh të brendshëm, duke rritur nivelin e detyrimeve që prej një dekade mbahen në këmbë vetëm me kredi të tjera.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama bëri propagandë me buxhetin e vitit 2026, duke e quajtur tregues të rritjes së lartë ekonomike, informacioni që ka siguruar “Pamfleti” nga Ministria e Financave zbulon se buxheti i shtetit nuk ka kapacitet financiar për të përballuar shpenzimet, projektet dhe këstet e borxheve të marra.

Për të garantuar vijueshmërinë e detyrimeve, qeveria ka vendosur që në fillim të muajit janar 2026 të marrë dy borxhe të tjera me vlerë totale 600 milionë euro, të cilat do t’i bëjë pjesë të buxhetit vjetor, ashtu siç ka vepruar në vitet e mëparshme.

Një ekip i Ministrisë së Financave, në bashkëpunim me agjentë bankarë në disa shtete të BE dhe me miratim të FMN, është në negociata me institucione dhe tregje të huaja financiare për të siguruar një borxh me vlerë 450 milionë euro në formë eurobondi.

Sipas informacionit, ky borxh do të merret për 7 vite me interes 5.8 për qind, që është më i lartë se normat e interesit të pesë eurobondeve të marra nga qeveria shqiptare gjatë 7 viteve të fundit.

Borxhi tjetër që do të marrë qeveria në fillim të janarit 2026 është me vlerë 150 milionë euro. Ai do të sigurohet përmes Bonove të Thesarit nga bankat e nivelit të dytë dhe subjekte të tjera private, me afat 6 muaj dhe 1 vit dhe interesa 2–2.5 për qind.

Të dy llojet e borxhit qeveria shqiptare i ka aplikuar disa herë gjatë 12 viteve të fundit. Por në pamundësi për t’i shlyer me kapacitetin e të ardhurave të buxheteve vjetore, qeveria ka rikonstruktuar kreditë në afate dhe me transferime në institucione dhe agjenci të tjera financiare që i kanë marrë përsipër. Si mënyrë për të shlyer borxhet, qeveria ka marrë borxhe të tjera, duke dyfishuar dhe shtuar detyrimet, për shkak të vështirësive për likuiditet pagash, pensionesh, emergjencash dhe detyrimesh të tjera tarifore ndaj organizatave ndërkombëtare.

Aktualisht, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, ka finalizuar 7 ankande për blerje borxhi të brendshëm me vlerë 73 milionë euro përmes Bonove të Thesarit, kryer në datat 11, 12 dhe 13 nëntor 2025, me afat shlyerjeje 1 vit dhe interes 2.49 për qind.

Ndërsa në datat 28, 29 dhe 30 tetor 2025 u finalizuan ankandet për marrjen e borxhit të brendshëm prej 78 milionë eurosh me Bono Thesari, përsëri me afat 1 vit dhe interes 2.5 për qind. Në janar 2026 do të merret borxhi tjetër prej 150 milionë eurosh, me afat 6 muaj dhe 1 vit dhe interesa rreth 2.5 për qind.

Në janar 2024 qeveria mori eurobondin me vlerë 500 milionë euro, me interes 7 për qind dhe afat shlyerjeje 15 vite, për investime publike dhe mbështetjen e stabilitetit ekonomik.

Më 11 shkurt 2025 mori 650 milionë euro të tjera borxh në Bursën e Londrës, me afat shlyerjeje 10 vite dhe interes 5 për qind. Ndërsa në korrik 2025 mori eurobondin prej 600 milionë eurosh me afat shlyerjeje 20 vite dhe interes 8 për qind, për likuiditete dhe investime të bllokuara./Pamfleti

 

eurobond bono thesari viti i ri me borxhe

Lini një Përgjigje