TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-06-29 21:45:00

30 ditë revoltë, nis marshimi qytetar; nesër protesta zhvendoset para Parlamentit

Shkruar nga Pamfleti

30 ditë revoltë, nis marshimi qytetar; nesër protesta zhvendoset

Protestuesit paralajmëruan se nesër do ta zhvendosin protestën para Kuvendit gjatë seancës plenare, ndërsa në mbrëmje do të vijojnë tubimin e përditshëm para Kryeministrisë.

Pas përfundimit të protestës së 30-të para Kryeministrisë, organizatorët paralajmëruan se aksioni qytetar do të zgjerohet edhe para Kuvendit.

Aktivisti Edison Lika u bëri thirrje protestuesve që nesër, në të njëjtën orë kur do të zhvillohet seanca plenare, të mblidhen para Parlamentit për të rritur presionin ndaj qeverisë dhe klasës politike.

Sipas Likës, protesta nuk do të kufizohet vetëm para Kryeministrisë, por do të vijojë edhe përpara Kuvendit, me qëllim që, sipas organizatorëve, t'u përcillet një mesazh i drejtpërdrejtë deputetëve dhe të kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, si edhe rrëzimi i sistemit aktual qeverisës.

Ai u bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë sa më masivisht në protestën e së martës në orën 10:00, kur në Kuvend është parashikuar të zhvillohet seanca plenare.

“Do vijojmë të jemi para Kryeministrisë. Kam një lajmërim: nëse nesër në orën 10:00 ka Parlament, kushdo që ka mundësi duhet t’u thotë atyre që nuk janë deputetët tanë! Ftojmë të gjithë protestuesit që mundeshin nesër në 10:00 para Parlamentit!”, u shpreh qytetari.

Aktivisti sqaroi se protesta para Kuvendit nuk do të zëvendësojë tubimin e përditshëm të mbrëmjes, por do t'i shtohet atij. Ashtu si në ditët e mëparshme, qytetarët do të mblidhen sërish në orën 19:00 në sheshin "Skënderbej", për të marshuar drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalimet e radhës, e më pas protesta do të vijojë me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.

“Do jemi edhe në darkë këtu te Kryeministria!”, shtoi në mbyllje të mesazhit të tij protestuesi.

Pas fjalimeve të mbajtura këtë të hënë para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Në mbyllje të tubimit, nga podiumi u përsërit thirrja për mobilizim edhe më të madh në protestën e së martës para Kuvendit, me organizatorët që theksuan se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të saj dhe ndryshimin e sistemit aktual qeverisës.

proteste kuvend seance edi rama

Lini një Përgjigje