Protesta e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të projektit turistik në zonë dhe për mbrojtjen e pronave të tyre ka hyrë në ditën e 34-të, ndërsa qëndresa e tyre vijon pa ndërprerje.
Edhe këtë ditë banorët janë mbledhur në terren, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre. Ata shprehen të vendosur për të mbrojtur pronat që, sipas tyre, u përkasin prej brezash.
“Gati të sakrifikojmë edhe jetën për pronën”, citohen të kenë thënë ata.
Gjatë protestës, banorët i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit që të largohet nga zona për të shmangur përplasjet, duke kërkuar që situata të zgjidhet përmes dialogut dhe respektimit të të drejtave të tyre. Ata theksojnë gjithashtu se do të vijojnë rezistencën deri në arritjen e një zgjidhjeje për çështjen e pronave në këtë zonë.
Ndërkohë, punimet për projektin turistik “Blu Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh nisën në fillim të muajit shkurt nga biznesmeni Bashkim Ulaj, pasi u pajis me lejen e ndërtimit. Projekti parashikon ndërtimin e 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me objekte që variojnë nga 3 deri në 10 kate mbi tokë, si dhe një kat nëntokë.
Subjekti zhvillues i projektit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e cila mban statusin e investitorit strategjik.
Lini një Përgjigje