TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2024-05-15 12:13:00

40-vjeçari alarmoi Durrësin dhe mbante peng fëmijët, flasin fqinjët: Aleksi pinte drogë

Shkruar nga Pamfleti

 

40-vjeçari alarmoi Durrësin dhe mbante peng fëmijët,
Aleks Marku

 

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Durrës mbrëmjen e të martës, ku 40-vjeçari Aleks Marku, mbajti peng fëmijët në një banesë te “Shkëmbi i Kavajës” dhe ku qëlloi disa herë me kallashnikov në ajër nga dritarja.

Një banor i lagjes tha për mediat se 40-vjeçari kishte pak kohë që po jetonte me fëmijët në atë zonë.

Ai tha se Marku ishte i divorcuar nga gruaja dhe ishte përdorues i lëndëve narkotike. Sipas banorit të lagjes, 40-vjeçari i kishte dhunuar dhe herë të tjera fëmijët.

“Në orën 1 e gjysmë të natës, ka lënë kalamanin jashtë dhe ka gjuajtur me armë. Ka kaluar plumbi, ka shkuar te hoteli i Qemalit këtu afër. Për fat të mirë u kap nga policia. Ishte i droguar e kam parë më përpara. Punë ditësh që ka qenë këtu. Ka qenë i ndarë me nusen dhe i rrihte fëmijët, i torturonte fëmijët. Ishte agresiv, gjuajti disa herë me kallash brenda në shtëpi. E dëgjuan banorët këtu që kanë ndejt pa gjumë gjithë natës”, tha banori i lagjes.

Ndërkohë detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja në Durrës, ku 40-vjeçari Aleks Marku  mbajti peng fëmijët e tij dhe qëlloi me armë ndaj forcave “RENEA”.

Në një njoftim policia bën me dije se Marku akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

“Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A. M., shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë”, njofton ndër të tjera policia.

Ndërkohë, pas verifikimeve ka rezultuar se Aleks Marku në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti.

 

aleks marku

Lini një Përgjigje