TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-07-07 22:40:00

Përfundon marshimi, qytetarët rikthehen te Kryeministria

Shkruar nga Pamfleti

Përfundon marshimi, qytetarët rikthehen te Kryeministria

Me rikthimin para Kryeministrisë, protestuesit përmbyllën marshimin dhe protestën e zhvilluar për të 28-ën ditë radhazi.

Mbyllet protesta e 28-të qytetare kundër qeverisë, e cila edhe këtë mbrëmje u shoqërua me fjalime para Kryeministrisë dhe një marshim në rrugët kryesore të Tiranës.

Ashtu si çdo mbrëmje, protesta nisi me fjalimet e qytetarëve dhe aktivistëve të mbledhur para godinës së Kryeministrisë, të cilët shprehën kritikat e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike, duke përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim politik.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin duke kaluar fillimisht nga zona e ish-Bllokut, më pas pranë Gardës së Republikës dhe Politeknikut, për t'u rikthyer në fund sërish para godinës së Kryeministrisë, ku u mbyll tubimi.

Gjatë gjithë itinerarit, qytetarët mbanin pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa me thirrje të vazhdueshme kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, rrëzimin e qeverisë dhe largimin e të gjithë klasës politike.

Mes sloganeve që dominuan marshimin ishin "Rama, jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!", "Revolucion!", "Poshtë diktatura!" dhe "Shqipëria e rinisë, jo e partisë!".

Pjesëmarrësit theksuan se kërkojnë një ndryshim rrënjësor të sistemit politik dhe deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të ndalen derisa, sipas tyre, të realizohen kërkesat e tyre.

Lini një Përgjigje