SPAK dërgoi për gjykim ish-Kryetarin e Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci dhe zyrtarë të tjerë për tenderin 4.1 milionë euro të ujësjellësit të disa fshatrave, të dhënë pa garë dhe me pothuajse 100% të fondit limit.
Tashmë që pritet gjykimi i kësaj dosjeje në GJKKO, në terren faktet tregojnë se me këtë tender është abuzuar. Rezulton se fshatrat për të cilat Gjolek Guci shpenzoi 4.1 milionë euro për ndërtim ujësjellësi, janë pa ujë të pijshëm.
Në tenderin 4.1 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit në Bashkinë Memaliaj, përfshihen 8 fshatra: Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës, si dhe qyteti Memaliaj.
Por ndërkohë që çështja ndodhet në dyert e drejtësisë, banorët e këtyre zonave vijojnë të mos kenë ujë të pijshëm në banesat e tyre. Në mungesë të furnizimit nga rrjeti, çdo banesë ka ndërtuar puse, disa pranë shtëpive e disa në tokat bujqësore, duke rritur koston e shpenzimeve për sigurimin e ujit.
Banorët e Anë-Vjosës thonë se prej vitesh ndihen të gënjyer nga premtimet dhe se situata vazhdon të jetë e njëjtë. Sipas tyre, mungesa e ujit të rrjedhshëm i ka lënë në kushte që i krahasojnë me mesjetën. Edhe në fshatin Toç situata paraqitet e njëjtë.
"Jetojmë në kushte tepër të vështira dhe pavarësisht ankesave të vazhdueshme ndër vite, kërkesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër", tha një banor për "Syri Tv".
Hetimi nisi pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili konstatoi shkelje të rënda si në procedurën e prokurimit ashtu edhe në zbatimin e kontratës. Sipas SPAK, fondi limit prej rreth 493 milionë lekë të reja u vendos në të njëjtën vlerë me projektin e hartuar nga kompania që e kishte dhuruar atë.
Për këtë çështje janë marrë të pandehur ish-kryebashkiaku Gjolek Guci, ish-zëvendëskryetarja Edmonda Harizi dhe dy zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, pasi dyshohet se kanë avantazhuar kompanitë fituese edhe pse ato kishin mangësi në dokumentacion, veçanërisht në kriteret e kapacitetit teknik.
Në përfundim të procedurës është pranuar nënkontraktimi i kompanisë “Artreum Generations”, me pronar Lorenc Bamin, e cila kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike, duke u konsideruar në konflikt interesi dhe pa plotësuar kriteret ligjore për nënkontraktor.
Kujtojmë se Lorenc Bami ka qenë ish-zyrtar i Bashkisë Tepelenë, duke mbajtur pozicionin e drejtorit të urbanistikës, dhe në një tjetër kallëzim të bërë në SPAK thuhet se drejtori i Bashkisë së Tepelenës, në vitin 2017, një kompani në emër të bashkëshortes ka përfituar 18 milionë euro tendera nga Bashkia e Tepelenës dhe Gjirokastrës, apo 66 milionë euro tendera në total nga institucionet publike, ku spikasin ato të rindërtimit.
Lini një Përgjigje