Plani i presidentit amerikan Donald Trump për Gazën pas luftës po vazhdon të zbatohet, pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Sipas dy burimeve pranë nismës, Bordi i Paqes (Board of Peace – BoP) ka nisur tashmë procedurat e tenderimit për projekte kyçe në terren, raportoi The Jerusalem Post.
Sipas burimeve, iniciativa ka kaluar nga faza e planifikimit diplomatik në fazën e zbatimit të hershëm. Bordi i Paqes tashmë funksionon si një entitet zyrtar dhe ka hapur një llogari bankare me një buxhet fillestar prej rreth 60–70 milionë dollarësh. Financimi, sipas tyre, nuk vjen nga SHBA-ja apo Izraeli, por nga aktorë të tjerë në rajon.
BoP ka shpallur tendera për tre projekte kryesore: ndërtimin e fshatrave për refugjatët në Rripin e Gazës, krijimin e një baze për trupat ndërkombëtare që pritet të dislokohen në territor dhe ngritjen e një selie qendrore drejtuese në Izrael.
Një nga burimet tha se procesi pritet të përshpejtohet në javët e ardhshme dhe se iniciativa tani ka më shumë gjasa për sukses.
Një zyrtar i lartë izraelit i tha The Washington Post se dobësimi i Iranit është bërë një faktor i rëndësishëm në avancimin e këtij plani. Sipas tij, ndryshimi i balancës gjeopolitike në Lindjen e Mesme mund të krijojë kushte që Hamasi të detyrohet të çarmatoset më lehtë se më parë.
Burimet thanë gjithashtu se pesë vende kanë rënë dakord të dërgojnë trupa në Gaza si pjesë e një force shumëkombëshe stabilizuese, të quajtur Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit (ISF). Kjo forcë parashikohet të ketë rreth 20 mijë trupa dhe do të ketë për detyrë sigurimin e territorit, mbështetjen e rindërtimit dhe ndihmën për policinë palestineze, me synimin për të mundësuar më vonë tërheqjen e Izraelit.
Sipas një burimi të cituar nga The Jerusalem Post, lufta me Iranin mund të përshpejtojë një nga objektivat më të ndjeshme të planit: çarmatimin e Hamasit, duke dobësuar ndikimin rajonal të Teheranit dhe mbështetjen e tij për grupin.
Megjithatë, një raport i publikuar nga Reuters të hënën tha se bisedimet mbi planin janë pezulluar përkohësisht që nga nisja e sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit. Sipas tre burimeve të cituara nga agjencia, kjo pauzë mund të ngadalësojë zbatimin e iniciativës më të gjerë të Trumpit për Lindjen e Mesme.
Një burim i cituar nga Reuters e përshkroi vonesën si teknike dhe të përkohshme, kryesisht për shkak të ndërprerjeve të fluturimeve që kanë vështirësuar udhëtimet e ndërmjetësve dhe delegacioneve në rajon. Kajro ka shërbyer shpesh si vend për këto negociata.
Një zyrtar palestinez pranë përpjekjeve të ndërmjetësimit tha për Reuters se Hamasi pritej të zhvillonte bisedime me ndërmjetësuesit nga Egjipti, Katari dhe Turqia në ditën kur shpërtheu lufta, por takimi u anulua dhe nuk është caktuar ende një datë e re.
Një zyrtar i Hamasit konfirmoi për Reuters se bisedimet mbi planin për Gazën janë aktualisht të ngrira, por nuk dha detaje të tjera.
Lini një Përgjigje