Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Koreja e Jugut t’i bashkohet operacionit ushtarak në Ngushticën e Hormuzit, duke rritur tonet ndaj Iranit në mes të përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump akuzoi Iranin se ka “qëlluar ndaj vendeve që nuk kanë lidhje me konfliktin”, duke përmendur edhe anijen koreano-jugore të mallrave që u përfshi në incidentet e fundit në ngushticë.
“Ndaj ndoshta është koha që Koreja e Jugut t’i bashkohet misionit”, shkroi ai, duke i bërë thirrje Seulit të përfshihet në operacionin për garantimin e sigurisë së lundrimit.
Trump deklaroi gjithashtu se forcat amerikane kanë “rrëzuar” shtatë mjete të vogla iraniane, ndërsa më herët Komanda Qendrore e SHBA kishte raportuar për shkatërrimin e gjashtë të tilla.
Ai shtoi se, përveç incidentit me anijen koreano-jugore, deri tani nuk janë raportuar dëme të tjera ndaj trafikut që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të lartë në Gjirin Persik, ku janë regjistruar sulme ndaj anijeve dhe infrastrukturës energjetike, duke rritur presionin për një përfshirje më të gjerë ndërkombëtare në sigurinë e këtij korridori strategjik.
Lini një Përgjigje