Tubacionet ekzistuese mund të zëvendësojnë vetëm një pjesë të vogël të naftës dhe gazit që zakonisht kalon përmes kësaj rruge strategjike
Ekzistojnë shumë pak alternativa për transportin e energjisë që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit dhe asnjëra prej tyre nuk mund të zëvendësojë vëllimin e madh të eksporteve të naftës dhe gazit që kalojnë zakonisht në këtë pikë strategjike, shkruan Issy Ronald.
Rreth një e pesta e prodhimit botëror të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm kalon zakonisht përmes kësaj ngushtice që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian.
Në një mesazh të publikuar më herët të enjten, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur si një “mjet presioni”.
Aktualisht ekzistojnë vetëm dy tubacione që mund të anashkalojnë këtë rrugë detare dhe të sigurojnë që një pjesë e energjisë të arrijë në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), kapaciteti i tyre rezervë është vetëm 3.7 deri në 5.7 milionë fuçi në ditë, shumë më pak se rreth 20 milionë fuçi në ditë që kalojnë zakonisht përmes ngushticës.
Një prej tyre është tubacioni Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite, i cili transporton naftë të papërpunuar nga fusha e naftës në Abqaiq, pranë bregut lindor të Gjirit, drejt portit Yanbu në Detin e Kuq. Kompania shtetërore Aramco njoftoi në mars 2025 se kapaciteti i këtij tubacioni është rritur në 7 milionë fuçi në ditë, megjithëse sipas IEA-s ky nivel rrjedhjeje ende nuk është testuar plotësisht.
Aktualisht përmes këtij tubacioni transportohen rreth 2 milionë fuçi në ditë, duke lënë një kapacitet të lirë prej 3 deri në 5 milionë fuçi në ditë. Megjithatë, edhe nëse tubacioni mund të përballojë këtë sasi shtesë, porti i Yanbu rrallë ka ngarkuar më shumë se 2.5 milionë fuçi në ditë, çka mund të kufizojë përdorimin e plotë të kapacitetit.
Paralelisht me këtë linjë kalon edhe një tubacion i gazit natyror, por sipas IEA-s ai tashmë funksionon në kapacitet maksimal.
Alternativa tjetër është tubacioni i Emirateve të Bashkuara Arabe, një linjë rreth 400 kilometra që lidh Habshan me portin Fujairah në Gjirin e Omanit. Megjithatë, ai është dukshëm më i vogël dhe ofron vetëm rreth 700 mijë fuçi në ditë kapacitet rezervë.
Së fundmi, një pjesë e këtij tubacioni u godit nga një sulm, ndërsa shkalla e dëmeve mbetet ende e paqartë. Në zonën e Fujairah shpërtheu një zjarr javën e kaluar pas kapjes së një droni iranian.
Sipas vlerësimeve të IEA-s, edhe nëse këto rrugë alternative përdoren maksimalisht, ato mund të zëvendësojnë vetëm një pjesë të vogël të fluksit të energjisë që zakonisht kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
Lini një Përgjigje