Pasiguria mbi zhvillimet ushtarake ndikoi edhe në lëvizjen e anijeve në ngushticë.
Irani ka përshpejtuar eksportet e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa tensionet ushtarake në Gjirin Persik janë shtuar dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar mundësinë e rivendosjes së një bllokade detare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas platformës së monitorimit TankerTrackers, Irani eksportoi rreth 10 milionë fuçi naftë të papërpunuar dhe karburant vetëm gjatë natës. Kjo përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me ritmin e javëve të fundit. Të dhënat e Windward Intelligence tregojnë se, para kësaj periudhe, Irani kishte eksportuar gjithsej 60 milionë fuçi gjatë tre javëve.
Pasiguria mbi zhvillimet ushtarake ndikoi edhe në lëvizjen e anijeve në ngushticë. Sipas MarineTraffic, numri i kalimeve të anijeve të mërkurën ra në 25, nga 49 një ditë më parë, pasi shumë operatorë vendosën të presin në spirancë për shkak të rreziqeve të sigurisë.
Shumica e anijeve që kaluan të mërkurën lëvizën nga perëndimi drejt lindjes, duke dalë nga Gjiri Persik. Sipas analistëve, operatorët druheshin se anijet që hynin në rajon mund të mbeteshin të bllokuara në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
Përveç Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat kanë eksportuar deri në 65 milionë fuçi pas rihapjes së ngushticës, Irani ka tejkaluar prodhuesit e tjerë të rajonit për nga ritmi i eksporteve. Të ardhurat nga nafta përbëjnë rreth 50% të të ardhurave të regjimit iranian dhe konsiderohen jetike për rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas luftës.
Ndërkohë, rivendosja e sanksioneve amerikane ndaj naftës iraniane nuk duket se ka ndalur eksportet drejt Kinës. Sipas Windward Intelligence, rreth 32.3 milionë fuçi naftë iraniane ndodhen aktualisht në rrugë drejt tregut kinez, të transportuara kryesisht nga e ashtuquajtura "flotë në hije" e anijeve cisternë.
Lini një Përgjigje