Ferit Hoxha është emëruar ministër i Jashtëm në kuadër të ndryshimeve të fundit në qeveri. Lidhur me këtë ka reaguar eurodeputeti Fredi Beleri.
Ai e cilësoi Hoxhën si diplomat me reputacion në Bruksel dhe tha se ai përfaqëson denjësisht Shqipërinë. Sipas Belerit, Hoxha ka krijuar vlerësim në qarqet europiane dhe mund të japë kontribut në drejtimin e diplomacisë shqiptare. Ai theksoi se ministri i ri duhet të ketë mundësinë të ushtrojë funksionin pa pengesa.
“Ministri i Jashtëm është një diplomat i nderuar këtu në Bruksel, është një njeri që i bën nder Shqipërisë. Shpresojmë të jetë një ministër i Jashtëm i mirë, po të lihet të bëjë punën. Në Shqipëri një njeri është gjykata, një njeri është ministri, kryeministri, drejtësia, shiu, breshëri, dielli, s’jam njeriu i parë që po e them”, tha Beleri në A2CNN.
Lidhur me deklaratat më të fundit të bëra prej tij si dhe integrimin europian të vendit, Beleri shton: “Unë sot isha deputeti më pro shqiptar në atë diskutim. Unë thashë konkretisht që Shqipëria ka probleme, dhe duke i fshehur nën rrogoz, nuk e ndihmojmë Shqipërinë për t’u anëtarësuar. Unë që e kam ndarë jetën mes dy shteteve jam më i interesuari që Shqipëria të futet sa më parë në BE”.
Lini një Përgjigje