
GJKKO dënon me 11 vite burg, Erjon Kasmin pronarin e kompanisë ‘Blu Energy’ dhe me 10 vite burg bashkëpunëtorin e tij Xhulian Xhafa. Të dy u shpallën fajtor për vjedhjen e rreth 7 milionë euro shtetasve gjermanë përmes mashtrimit në Call Center që të investonin në bursa.
Ndërkohë 11 operatorët Anduel Gjergji, Ariol Zenuni, Denada Bardhi, Emion Orizaj, Ermir Shehu e Eris Kurila, Evis Mahmutaj, Ilir Shkurti, Indrit Tila, Klevin Molla dhe Skerdi Llupi janë shpallur të pafajshëm.
Kujtojmë se nga hetimet e procedimit penal të vitit 2021 ka rezultuar se shtetas gjermanë, francezë, italianë, spanjollë dhe grekë ftoheshin nga agjentët e subjektit Bluenergycall sh.p.k., shoqëri me lidhje me Kasmin dhe Xhafën, që të investonin në bursa ndërkombëtare, duke bërë depozitimin e parave sipas udhëzimeve të agjentëve, në platformat mashtruese.
Këto depozita nga viktimat bëheshin në llogari të cilat kanë rezultuar se gjenden në banka të vendeve të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro, ku më pas zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë.
Sipas prokurorisë, është provuar se një pjesë e parave të depozitave të viktimave kanë përfunduar në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri. SPAK konstaton dëme financiare në dëm të qytetarëve evropianë në vlerën rreth 7 milionë euro.
Lini një Përgjigje