Kryeministri Edi Rama ka propozuar uljen e numrit të deputetëve në Kuvend, gjatë një takimi me mbështetësit në Durrës në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”. Ai e lidhi këtë ide me përmirësimin e funksionimit të Parlamentit.
Rama u shpreh se një shumicë shqiptarësh do të ishin dakord për reduktimin e numrit të deputetëve, duke sugjeruar që Parlamenti të ketë 101 anëtarë.
“S’ka shqiptar që nuk është dakord që të ulet numri i deputetëve dhe besoj se edhe nëse ne e çojmë në 101 deputetë, që të mos e marrim numër çift që të jemi gjithmonë me një tek, besoj se jemi më mirë”, tha ai.
Kryeministri e shoqëroi propozimin edhe me batutë, duke theksuar rëndësinë e një numri tek.
Rama u ndal edhe te zgjedhjet e ardhshme vendore, duke shprehur besimin se Partia Socialiste mund të fitojë të tre bashkitë e qarkut Durrës.
“Kemi të gjithë arsyen të besojmë se kemi mundësi të fitojmë të 3 bashki duke filluar nga Durrësi”, tha ai.
Në fjalën e tij, Rama riktheu edhe temën e integrimit europian, duke e cilësuar momentin aktual si një mundësi historike për Shqipërinë.
“Sot kemi një moment të historisë ku për herë të parë fati i buzëqesh shqiptarëve… për ta pozicionuar nga ana e Evropës politikisht dhe jo vetëm gjeologjikisht”, tha Rama.
Ai kërkoi një mandat më të fortë për të çuar përpara këtë objektiv.
Lini një Përgjigje