Kryeministri Edi Rama ka vijuar propagandat, teksa u shpreh se zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme, pasi sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në asamblenë e Partisë Socialiste në Durrës, Rama tha se Shqipëria ndodhet përballë një momenti historik duke shtuar se vendi ka marrë sinjale pozitive nga Bashkimi Europian.
“Është hapur një derë në BE, na kanë thënë ata: ne ju duam, ne duhet të bëjmë çmos të mos mbyllet dera pa hyrë ne brenda”, u shpreh Rama. Ai theksoi se ky është një shans që nuk duhet humbur.
Ndryshe nga deklaratat e Ramës, raporti i IBAR është mbyllur dhe 9 shtete mbeten skeptike për vijimin e negociatave me Shqipërinë. 9 shtete, duke përfshirë Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Suedinë, Austrinë, Finlandën, Poloninë, Greqinë dhe Bullgarinë nuk i dhanë dritën jeshile raportit të IBAR, që do të bënte të mundur nisjen e mbylljes së kapitujve të integrimit.
Kryeministri i cilësoi zgjedhjet e ardhshme si një test politik për Partinë Socialiste dhe për drejtimin e vendit.
“Duhet ta konfirmojmë PS në zgjedhjet e ardhshme, që janë zgjedhje politike më shumë sesa vendore”, u shpreh Rama.
Sipas tij, rezultati i këtyre zgjedhjeve lidhet me besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve europianë.
Rama bëri thirrje për mobilizim dhe veprim të shpejtë. "Kështu e ka sjellë rrota e historisë, ne duhet ta bëjmë atë që na kërkohet. Duhet ta kapim trenin e historisë patjetër”, përfundoi ai.
"Është hapur një derë në BE, na kanë thënë ata: ne ju duam, ne duhet të bëjmë çmos të mos mbyllet dera pa hyrë ne brenda. Duhet ta konfirmojmë PS në zgjedhjet e ardhshme, që janë zgjedhje politike më shumë sesa vendore. Duhet që PS të jetë e vetëdijshme që fati e ka dashur të na bjerë një gur kaq i madh për ta vendosur në majë, duke vulosur prezencën e Shqipërisë në BE. Kështu e ka sjellë rrota e historisë, ne duhet ta bëjmë atë që na kërkohet. Duhet ta kapim trenin e historisë patjetër", u shpreh ai ndër të tjera.
Lini një Përgjigje