
UEFA ka njoftuar zyrtarisht hapjen e një hetimi lidhur me incidentin mes Xhianluka Prestianit dhe Vinicius Zhunior gjatë ndeshjes së fazës eliminatore të Ligës së Kampioneve, mes Benfikës dhe Realit të Madridit, e zhvilluar më 17 shkurt 2026.
Në një deklaratë zyrtare, organizata që drejtohet nga Aleksandër Ceferin bëri të ditur se Inspektorët e Etikës dhe Disiplinës kanë nisur procedurat për të shqyrtuar një shkelje të mundshme të Rregullores Disiplinore të UEFA-s.
“Një Inspektor Etike dhe Disipline i UEFA-s është emëruar për të hetuar akuzat për sjellje diskriminuese gjatë ndeshjes së fazës eliminatore të Ligës së Kampioneve midis Benfikës dhe Realit të Madridit më 17 shkurt 2026. Informacione të mëtejshme mbi këtë çështje do të ofrohen së shpejti”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Çfarë parashikon rregullorja
Sipas Nenit 14 të Kodit Disiplinor të UEFA-s, çdo individ ose entitet që i nënshtrohet rregullave të organizatës dhe që cenon dinjitetin njerëzor të një personi apo grupi për arsye si ngjyra e lëkurës, raca, feja, origjina, gjinia apo orientimi seksual, përballet me sanksione të rënda.
Rregullorja parashikon një pezullim minimal prej dhjetë ndeshjesh ose për një periudhë të caktuar kohore, si dhe masa të tjera disiplinore të përshtatshme, nëse shkelja vërtetohet.
Si do të zhvillohet hetimi
Procesi hetimor përfshin analizimin e raporteve të përgatitura nga vëzhguesi i ndeshjes i UEFA-s, si dhe mbledhjen e deklaratave nga palët e përfshira. Sipas informacionit zyrtar, do të merren në pyetje si Prestiani ashtu edhe Vinicius, ndërsa pritet të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë që kanë folur për incidentin, përfshirë Kilian Mbape.
Deri në përfundim të hetimit, UEFA nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e saktë të incidentit apo përgjegjësinë e mundshme të ndonjërit prej lojtarëve. Organizata ka theksuar se informacione të reja do të publikohen sapo të ketë zhvillime në këtë çështje.
Lini një Përgjigje