Forum28 Mars 2023, 17:51

A është sulmi me breshëri kallashnikovësh ndaj Top Channel, sulm kundër fjalës së lirë?!

Shkruar nga Ilir Demalia

A është sulmi me breshëri kallashnikovësh ndaj Top Channel,

Pjesa më e madhe e pronarëve të medias që nuk kanë asnjë lidhje me median dhe gazetarinë, e mandej ka dhe të tillë që as të shkruajnë nuk dinë, i kanë ndërtuar mediat si mjet presioni ndaj pushteteve të inkriminuara dhe korruptuara për të shfrytëzuar në favoret e bizneseve të pista të tyre...

Sulmi kundër një institucioni mediatik kombëtar më i fuqishmi në vend, në çfarëdo rrethanash është një akt kriminal i rëndë the i patolerueshëm. Ajo që është tragjike, nuk janë plumbat kundër xhamave dhe kangjellave, por humbja e jetës së punonjësit të sigurisë së objektit të Top Channel.

Sulmi me breshëri kundër xhamave të objektit të Top Channel, në mendimin tim, nuk ishte sulm kundër gazetarëve dhe fjalës së lirë, pasi po të ishte ky qëllimi, nuk do të lëshohej breshëri në fasadë, por do të hyhej brenda dhe do qëllohej tek gazetarët. Fjala në Shqipëri sot, është aq e lirë, sa e ka kaluar lirinë e fjalës deri në atë masë inflancionuese sa nuk ka më vlerë as rëndësia e fjalës dhe as vlera e saj.

Mendoj se sulmi kundër Top Channel ka të bëjë me hesape marrëdhëniesh të aferave të pronarëve të mediave me grupe interesash, trojesh, marrëdhëniesh financiare dhe deri trafiqe… rrugë me të cilën ka nisur udhën Top Channel dhe media të tjera duke përdorur pushtetin mediatik si pazmore të bizneseve të pista në aleancë me pushtetet e korruptuara duke u shpërblyer nga këto pushtete me punë publike, tendera reklama. Media duke i dalë në krah pushteteve të radhës për përfitimet e radhës së pushteteve, kur i prishen pazaret dhe shteti përdor forcën nëpërmjet ligjit seleksionues të prishjes marrëdhënieve me një media që ndërton pa leje, shfrytëzon toka publike dhe merr ato deri dhe prona private me fuqinë e “pushtetit të katërt” për t’i shërbyer pushtetit korruptiv dhe kriminal që pushteti i ka shpërblyer me shërbime klienteliste siç thashë më lart, aty nxirret “gjethja e fikut” së fjalës së lirë!

Pjesa më e madhe e pronarëve të medias që nuk kanë asnjë lidhje me median dhe gazetarinë, e mandej ka dhe të tillë që as të shkruajnë nuk dinë, i kanë ndërtuar mediat si mjet presioni ndaj pushteteve të inkriminuara dhe korruptuara për të shfrytëzuar në favoret e bizneseve të pista të tyre dhe përfituar llokmën nga pushtetet si klientelë e maskaradës pushtet-media, media-pushtet.

Në këtë frymë filluan moderatorë emisionesh, portalesh, radiosh  dhe gazetarë gjobaxhi të luajnë këtë skemë. Kjo u bë mënyrë jetese dhe bandat kriminale, oligarkët financiarë të lidhur me krimin, pronarët e mediave, moderatorët the gazetarët gjobaxhi hidhnin vallen sëbashku dhe i bënin presion njëri-tjetrit duke kërcyer  dhe bërë jetë luksi, duke u botoksuar me këtë para kriminale. Litari këputet duke u trashur zullumi,- thotë populli.

Që media në Shqipëri në  të përgjithshmen nuk ka lidhje me fjalën e lirë, apo me misionin e pushtetit të katërt që është informimi me publikun dhe transperenca me publikun, kjo tashmë është dukshëm  dhe e qartë.

Fakti që në një Shqipëri me 28 mijë km katror dhe 2 milion popullsi ka 20 televizione lajmesh, banale kafesh të 99% me emërime të huaja, 120 radio dhe 800 portale, tregon jo vetëm gjendjen e mjerë të medias por edhe funksionimin piramidë të medias në Shqipëri. Pas rënies së piramidave financiare të Sudes, Xhaferrit, Popullit, pas diskretitimit të piramidave Universitare tip Henri Çili, tashmë radhën e ka rënia e piramidës mediatike e diskretituar në misionin e saj publik-kulturor.

Tashmë si lufta e bandave që bashkëpunojnë deri në një pikë dhe pastaj mundohen të eleminojnë njëri-tjetrin. Ketu ka arritur mardhënia pushtet-media-oligarki kriminale financiare në Shqipëri.

Hetimet e policisë së shtetit duhet të përqendrohen në marrëdhëniet dhe transaksionet financiare të pronarëve të Top Channel, në pronat dhe konfliktet që kanë pronarët e këtij televizioni, jo për lirinë e fjalës dhe mbulimin me lirinë e fjalës kjo media dhe të tjera. Një kontroll financiar i të gjitha mediave i nxjerr zbuluar si CROOKS of the freedom of speach.

demalia top channel sulmi