Forum21 Korrik 2023, 20:16

Basha i Ri si një Sozi e vetëvetes

Shkruar nga Klevis Bakillari
Basha i Ri si një Sozi e vetëvetes
Lulzim Basha

Basha e Berisha kanë një simbioze jetike mbi njëri-tjetrin por shkatërrimtare mbi PD

Ky dhjetëvjeçar që mund të konsiderohet 'dekadë e dekadencës', mund të përfundojë me një 'big bang' brenda familjes politike në PD.

Grupimet bënë që partia të shndërrohet në një shtëpi pa komunikim, pa dyer e korridore ku të gjithë tani hyjnë e dalin nga dritaret!

Kujtojmë dje, Bashën e vjetër kur nxori Berishën si zotëri nga dera por ai hyri përsëri nga dritarja.

Ndersa sot, Basha kërkon të hyjë po si zotëri nga dera duke nxituar mes zhegut të mobilizojë ç'të gjejë për formalizimin e garës.

Për shkak të politikave të tij të opozitarizmit dhe buqetave të dështimeve që u dhuroi demokratëve, një pjesë e madhe e elektoratit, e shohin partinë e vulës jo si një PD por si parti e dredhive. Mirepo ata harrojne fuqinë e djeshme të Berishës mbi Bashën.

Megjithatë Basha e Berisha kanë një simbioze jetike mbi njëri-tjetrin por shkatërrimtare mbi PD. Kjo mund të bëjë që kësaj partie, t'i humbë vërtetë vula dhe skenën ta rrëmbejnë formacione të tjera jo emblematike. Janë 'një' model në përmbajtje përderisa të dy janë te vetmit aksionar të partisë. Përveç pompozitetit mediatik, asgjë nuk e bën Bashën më pak të dhunshëm se Berisha. Pasiviteti politik e pandjeshmëria civile; dhunë është në jetën qytetare demokratike. Edhe kur nuk reagon, ti po dhunon të drejtën e veprimit. Por dy kolltukofagët e PD, kanë vepruar ngushtë me interesat e tyre. Asnjëherë në vonesë.

Gjithnjë në kohën e duhur dhe pse në rrugën e gabuar. Mjafton të shohësh se me punën e dhunës, ku direkte e ku diskrete, sa herë kanë dashur, ata janë 'zgjedhur' kryetar partie. 

Si përherë, gjuetia për të kapur kreun e PD, vjen tashmë si çdo verë, për të na freskuar mendjen me një kokteil idesh të reja! Ky është në fakt dhe 'misioni' i Kandidatit të përhershëm.

Shumë të freskëta janë shpalljet e reja si: veting politikanëve, kufizim deri në dy mandate, zgjedhje të ndershme e të lira, lista të hapura, President nga populli, zhbërje të ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008, forcim i marrëdhënieve me BE-SHBA etj..

Është vështirë të mbash seriozitet përballë ketyre ideve vërtetë ‘novatore’. 'Veting Politikanëve' dhe

'Kufizim deri ne dy mandate'. Një kryevepër! Këtu e kap direkt vetingu i mandateve sepse vetë po kërkon të marrë mandatin për herë të tretë! 

Kandidati  na e servir idenë per 'mbajtje të zgjedhjeve të ndershme e të lira', sikur jo vetëm po na hap sytë drejt një standardi të ri demokratik, por a thua se këtu ka ardhur një popull tjetër në një epokë tjetër, ose mbase ka menduar se bota u krijua sot në shek XXI.

Ndërsa ideja për 'listat e hapura', ta mbyll gojën.

Të kujton atë suksesin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

'President nga populli'.

Kjo ide s'shahet; ishte ai guri i shahut që solli krijimin e Republikës së Re në vitin 2017!

“Ndryshim të 'ndryshimeve’ kushtetuese te vitit 2008".

Kandidati siç duket po kandidon për Kryeministër për të n-herë, dhe harron se për një ndryshim të tillë nevojiten mbi 90 vota dhe për më tepër, se PD e tij është katandisur si ‘kaposhi në një thelë'.

Kjo platformë do të ishte komike në kontekstin e sotëm po të shpallej nga një kandidat sozi.

Por kandidati është i vërtetë dhe kjo platformë është një tragjikomedi. Ai sillet si kandidat i ri por është vërtetë një sozi i zi i vetëvetes. Dhe s'ka asgjë per t'u trazuar, se Kandidati ynë hyn tek njerëzit që e presin të ardhmen publike, jo tek ata që angazhohen për ta ndërtuar atë./Pamfleti

basha sozi e vetëvetes klevis bakillari