Forum21 Korrik 2023, 20:18

SPAK i pafuqishëm përballë bosëve të korrupsionit, duhen arrestuar ish-kryeministra e ish-presidentë

Shkruar nga Spartak Ngjela

SPAK i pafuqishëm përballë bosëve të korrupsionit,

Shqipëria drejtohet nga kryeministra, ministra dhe presidentë të korruptuar dhe të paguar edhe nga fqinjët pushtues të territoreve shqiptare, nga Moska, nga Beogradi dhe nga Athina, të njohur si armiqësorë me historinë e Shqipërisë, që nga viti 1912 e deri më sot

SPAK po kuptohet që nuk ka forcë.

Politika amerikane gaboi: nuk arrestohen dot oligarkët hajdutë të shtetit shqiptar të cilët janë milionerë dhe me banda kriminale në shërbim të tyre, nga prokurorë të trembur dhe pa forcë të brendshme antikrim.

Për këtë arsye...

SPAK duhej të ishte ndërtuar me personalitete që kanë aftësi për vendimmarrje të rëndësishme;

SPAK duhej të mos mbështetej te disa prokurorë të trembur dhe pa asnjë lloj karriere juridike, përveç servilizmit;

Politika amerikane duhet të ndërhyjë urgjent në ndreqjen e legjislacionit për emërimin e prokurorëve dhe hetuesve të SPAK-ut.

Kjo është një gjithçka që duhet të bëhet, sepse sot i gjithë korrupsioni i lartë shtetëror është i trembur; prandaj:

Politika amerikane duhet të implementojë edhe një strukturë të re juridike për SPAK-un dhe, brenda kësaj, të fillojë punësimin e prokurorëve të emëruar nga strukturat e larta ndërkombëtare, sidomos nga ekspertiza amerikane në Uashington;

dhe...

Një strukturë e tillë duhej bërë me kohë, sepse ka shumë vende evropiane që e kanë bërë këtë në kryerjen e reformave të mëdha antikrim, kur krimi ka pas' pushtuar elitën shtetërore, dhe një  nga këto shtete është edhe Greqia;

Politika amerikane duhet të tregohet me agresivitet të fuqishëm për drejtësinë e anti-krimit shtetëror në Shqipëri, sepse po shihet që SPAK  është drejt dështimit;

E vetmja provë që e ngre SPAK-un në lartësinë e duhur të historisë është fillimi i çështjes penale për një ose disa ish presidentë që është e provuar se janë të korruptuar;

E vetmja provë për forcën historike të SPAK-ut është fillimi i çështjes penale kundër një ose disa ish kryeministrave që është e provuar se kanë qenë të korruptuar.

Por e gjithë kjo veprimtari goditjeje penale në rangjet e larta kërkon profesionistë të nivelit të lartë, shqiptarë, por që njihen ndërkombëtarisht për aftësitë e tyre si prokurorë në Shtetet e Bashkuara, dhe, edhe hetuesë të stërvitur në mënyrë profesionale në Uashington.

Shqipëria sot ka nevojë urgjente për një PURGO të fuqishme kundër krimit të lartë shtetëror, dhe, për faktin që politika amerikane i është zotuar shoqërisë shqiptare për çuarjen deri në fund të luftës antikorrupsion në Shqipëri, tani është koha që të hidhen ide konkrete në këtë luftë.

Dhe ide konkrete janë ato që ne trajtuam në këtë thirrje juridike për drejtësinë në Shqipëri, që duhet të vijë nëpërmjet organeve të reja ligj-zbatuese që duhet të drejtohen nga ekspertiza e lartë amerikane; sipas zotimit që ka marrë botërisht sekretari i Departamentit të Shtetit në Uashington përpara disa vitesh.

Shqiptarët sot janë në pritje të aleatit të tyre të madh për të shpëtuar nga zgjedha makabër e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, korrupsion ky, i cili i ka marrë frymën shoqërisë shqiptare dhe e ka kthyer atë në një shoqëri pa personalitet.

Në këtë periudhe të rëndë, Shqipëria drejtohet nga kryeministra, ministra dhe presidentë të korruptuar dhe të paguar edhe nga fqinjët pushtues të territoreve shqiptare, nga Moska, nga Beogradi dhe nga Athina, të njohur si armiqësorë me historinë e Shqipërisë, që nga viti 1912 e deri më sot. Kjo është bërë tani një kërkesë e shpirtit shqiptar, dhe duhet kryer sa më shpejt që të jetë e mundur.

Dhe shprehja e famshme latine:

 Hic et nunc - Këtu dhe tani... është shprehja më e fortë që na thotë: kjo reformë duhet të bëhet këtu dhe tani.

Reformë antikorrupsion pa goditje penale dhe rregullim modern të legjislacionit penal, nuk mund të ketë

E pra për këtë reformë të drejtësisë shqiptare, gjithçka duhet të fillojë... hic et nunc!