Forum14 Prill 2023, 17:19

Shteti, pensionistët dhe dinjiteti i tyre

Shkruar nga Fatos Tarifa

Shteti, pensionistët dhe dinjiteti i tyre

Rritja e pagave për disa kategori punonjësish–mjekët, arsimtarët, ushtarakët, punonjësit e policisë–është diçka shumë e mirë, edhe pse e pamjaftueshme dhe e vonuar, por bashkë me pagat e ketyre kategorive duhen rritur edhe pensionet e qytetarëve që kanë punuar dhe i kanë kontribuar shoqërisë sonë në këto profesione...

Është një padrejtësi shoqërore shumë e madhe që një nëpunës 30 ose 35-vjeçar i administratës shtetërore, me 10 ose 15 vite punë, të marrë një pagë mujore 3 ose 4 herë më të madhe se sa pensioni mujor i dikujt që ka punuar për 40 vite me radhë dhe i ka kontribuar kësaj shoqërie shumë më tepër.

Rritja e pagave për disa kategori punonjësish–mjekët, arsimtarët, ushtarakët, punonjësit e policisë–është diçka shumë e mirë, edhe pse e pamjaftueshme dhe e vonuar, por bashkë me pagat e ketyre kategorive duhen rritur edhe pensionet e qytetarëve që kanë punuar dhe i kanë kontribuar shoqërisë sonë në këto profesione.

Është shoqërisht e padrejtë dhe moralisht e gabuar që një arsimtar në pension të marrë sot sa një e treta ose më pak se paga e një arsimtari në marrëdhënie pune, që mund ketë qenë nxënësi, ose nxënësja e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për atë kategori pensionistësh që në të kaluarën i kanë shërbyer shoqërisë sonë si mjekë, si ushtatakë, si oficerë policie, si inxhinierë, si minatorë etj. Sakrificat dhe kontributet e tyre dje janë kanë qenë një faktor shumë i rëndësishēm i shkallës së zhvillimit dhe i mirëqenies që kemi sot.

Kontributet e shumta që kanë dhënë ndër vite pensionistët e sotëm duhen shpërblyer arsyeshmërisht dhe proporcionalisht më mirë, për t’u mundësuar atyre, një pjesë e mirë e të cilëve me vështirësi përballojnë nevojat dhe shpenzimet më bazike, një jetë më dinjitoze, siç meritojnë.

Një qeveri që pretendon të jetë vërtet demokratike dhe humane nuk mund të preokupohet vetëm për ata qytetarë që janë në moshë pune dhe në marrëdhënie pune, por edhe për ata, të cilëve mosha (dhe ligji që përcakton moshën e daljes në pension) ua kanë bërë të pamundur të punojnë më tej.

Diferenca mes pensioneve dhe pagave, natyrisht, do të ketë dhe duhet të ketë. Por pensionet e çdo kategorie njerëzish, që për arsye moshe nuk punojnë më, nuk duhet të jenë shumë (disa herë) më të ulta se sa pagat e atyre kategorive punonjësish që sot vijojnë të punojnë në profesionet dhe shërbimet që kanë lënë të parët.

Cilësia dhe humanizmi i një shoqërie dhe i qeverisë së çdo vendi, në fund të fundit, nuk vlerësohen nga pagat që marrin funksionarët e lartë zyrtarë të saj, por nga mënyra se si ato i trajtojnë dhe i shpërblejnë pensionistët e tyre.

Buxhetet nuk mund të justifikojnë pabarazitë e theksuara mes pagave dhe pensioneve; këto të fundit dëshmojnë paaftësinë e një qeverie në miradministrimin e buxheteve, për të mos thënë edhe mungesën e vullnetit politik dhe të përgjegjësisë morale për t’i vlerësuar qytetarët pensionistë, deri ditën e fundit të jetës së tyre, me dinjitetin që meriton çdo qënie humane, pavarësisht moshës.

pensionistët shteti dinjiteti