TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Qershor 2026, 13:51

Pas humbjes me Izraelin, Kombëtarja vijon përgatitjet për Luksemburgun; dy mungesa në stërvitje

Shkruar nga Pamfleti
Pas humbjes me Izraelin, Kombëtarja vijon përgatitjet për
Kombëtarja në stërvitjen e sotme pas humbjes kundër Izraelit

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka vijuar sot paradite përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut, e planifikuar të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:00.

Kuqezinjtë u stërvitën në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku stafi teknik e ndau ekipin në dy grupe. Futbollistët që u aktivizuan në ndeshjen e mbrëmshme të humbur 0-1 ndaj Izraelit zhvilluan një seancë rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër e grupit, me pak ose aspak minuta në fushë, u stërvit normalisht.

Sulmuesi Myrto Uzuni nuk mori pjesë në stërvitjen me ekipin, pasi po monitorohet nga stafi mjekësor pas një gjendjeje gripale të kaluar së fundmi. Sipas informacioneve nga kampi kuqezi, ai mund të zhvillojë një stërvitje të diferencuar gjatë pasdites.

Ndërkohë, edhe Anis Mehmeti ka shfaqur probleme shëndetësore, pasi ka kaluar një gjendje gripale gjatë natës. Gjendja e tij do të vlerësohet në orët në vijim për të përcaktuar gatishmërinë për ndeshjen e ardhshme.

Ditën e premte, Kombëtarja do të zhvillojë stërvitjen zyrtare në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 17:30. Më herët, në orën 16:30, trajneri Rolando Maran dhe një prej lojtarëve të ekipit do të dalin në konferencën zyrtare për media në prag të sfidës me Luksemburgun.

Lini një Përgjigje