TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Qershor 2026, 13:30

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40 vitesh në Kupën e Botës

Shkruar nga Pamfleti
Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40
Iraku pas 40 vitesh në Kupën e Botës

Pas një mungese prej 40 vitesh, kombëtarja irakiane e futbollit është kualifikuar sërish për Kupën e Botës. Ekipi mishëron njëkohësisht shpresën dhe traumën e një kombi të tërë dhe simbolizon historinë shpesh të errët të vendit...

Zaid Ismael parkon automjetin e tij para një ndërtese të viteve ‘70. Ajo i përket Institutit Teknik të Universitetit të Bagdadit. Kampusi i madh pranë lumit Tigër të jep përshtypjen sikur një universitet model sovjetik është zhvendosur në Lindjen e Mesme: blloqe betoni ngrihen drejt qiellit të zbehtë blu, ndërsa bari i tharë mbulon hapësirat përreth.

Në një fushë me bar stërvitet skuadra e Al-Talaba, një prej klubeve kryesore të Bagdadit. Të nesërmen e pret një ndeshje kampionati, ndaj Ismael ka pak kohë në dispozicion. Ai ulet në një stol rezervash me sedilje plastike të zbehura nga koha.

“Ende nuk mund ta besoj plotësisht”, thotë ai me buzëqeshje.

Deri para disa muajsh, mesfushori 24-vjeçar njihej vetëm nga specialistët e futbollit në Irak. Sot njerëzit e njohin në rrugët e Bagdadit. Arsyeja është e thjeshtë: Ismael është pjesë e skuadrës që shkroi histori për futbollin irakian në Monterrey të Meksikës.

Irakun e pushton ethet e futbollit

Në qytetin e largët meksikan, kombëtarja irakiane mposhti Bolivinë me rezultatin 2:1 pas një ndeshjeje të luftuar fort dhe siguroi vendin e fundit në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut. Është hera e parë pas dyzet vitesh që Iraku kualifikohet në turneun më të madh të futbollit. Ismael dha kontributin e tij në këtë sukses. Ai u aktivizua në minutën e 52-të, pak para se sulmuesi Aymen Hussein të shënonte golin vendimtar. “Pas përfundimit të ndeshjes të gjithë lojtarët u përqafuam. Ishte si një ëndërr. Nuk e kuptoja ende çfarë kishim arritur. Bërtita: A po jetojmë një ëndërr?”, kujton ai.

Që nga nata e Monterreyt, të ndjekur drejtpërdrejt në televizion nga miliona irakianë në orët e para të mëngjesit, vendi është përfshirë nga entuziazmi. Kudo shihen fotografitë e heronjve të Meksikës. Shoferët e taksive dëgjojnë këngë futbolli ndërsa presin në trafikun e rënduar të Bagdadit. Megjithatë, Iraku përballet edhe me probleme të tjera. Pas sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit në fund të shkurtit, tensionet ushtarake prekën sërish rajonin. Grupe të afërta me Teheranin sulmuan baza amerikane, ndërsa SHBA-ja u kundërpërgjigj me bombardime ndaj milicive. Për një vend me ndarje të thella politike dhe fetare, kjo përbën një barrë të madhe.

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40

Viktimë e historisë

“Në këto rrethana është edhe më e rëndësishme që u kualifikuam”, thotë Ismael, duke shtuar se “është detyra jonë të shkruajmë histori për popullin irakian.” Iraku është një vend i goditur nga luftërat dhe i mbushur me plagë. Kombëtarja e futbollit është pasqyra më e mirë e kësaj historie. Pothuajse të gjithë lojtarët janë prekur nga konfliktet e dekadave të fundit. Aymen Hussein, autor i golit të fitores në Monterrey, dikur ishte i zhvendosur brenda vendit. Babai i tij u vra nga Al-Kaeda, ndërsa vëllai i tij u rrëmbye nga Shteti Islamik (ISIS).

Edhe Ismael ka përjetuar tragjedi. Në vitin 2006, kur ishte vetëm katër vjeç, babai i tij u vra nga luftëtarë shiitë. Ai kishte punuar më parë për shërbimet sekrete të Saddam Husseinit, diktatorit sunit të rrëzuar nga amerikanët në vitin 2003. Pas kësaj, Iraku u zhyt në luftë civile mes sunitëve dhe shiitëve. Humbja e të atit u kthye në motivim për Ismaelin. Me disiplinë ai doli nga lagjja e varfër Al-Shaab, shkonte në stërvitje me motoçikletë edhe kur nuk kishte para dhe u transferua në provincë për të ndërtuar karrierën si futbollist profesionist. Sot ai ka mundur t’i sigurojë nënës dhe vëllezërve të tij shtëpi dhe automjete.

“Ashtu si unë, edhe shumë të tjerë kanë kaluar të njëjtën rrugë. Kombëtarja irakiane ka lindur nga dhimbja”, thotë ai.

“Ne ishim ushtarë, jo sportistë”

Ismael dhe shokët e tij nuk janë irakianët e parë që marrin pjesë në Kupën e Botës. Herën e fundit kjo ndodhi në vitin 1986, po në Meksikë. Iraku nuk la gjurmë të mëdha në atë turne. Humbi të tre ndeshjet, nuk grumbulloi asnjë pikë dhe shënoi vetëm një gol, në humbjen 2:1 ndaj Belgjikës. Megjithatë, futbollistët e asaj kohe konsiderohen ende heronj në vend. Ata humbën me diferenca minimale dhe përfaqësonin atë që konsiderohet gjenerata e parë e artë e futbollit irakian. “Ne ishim ushtarë, jo sportistë”, kujton Ghanim Oraibi, ish-mbrojtës i kombëtares së vitit 1986.

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40

Sot Oraibi jeton në një vilë në lindje të Bagdadit. Në një nga dhomat ka krijuar muzeun e tij të futbollit, me fanella, kupa, fotografi dhe suvenire nga vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë. Një prej fotografive e tregon gjatë Kupës së Botës në Meksikë, me mustaqe të dendura dhe pamje serioze. Sipas tij, Iraku kishte një skuadër të fortë.

“Në vitet shtatëdhjetë dhe fillimin e viteve tetëdhjetë ishim një nga ekipet më të mira në Azi. Arabia Saudite u mund 7:0. Ishte e natyrshme që një ditë do të kualifikoheshim në Kupën e Botës.”

Nën hijen e Saddam Husseinit

Kur skuadra u nis për në Meksikë në vitin 1986, Iraku ndodhej tashmë në luftë me Iranin. Mijëra të rinj humbnin jetën në front. “Të gjithë miqtë e mi ishin në luftë. Shumë prej tyre vdiqën”, kujton Oraibi. Në Bagdad mbizotëronte një atmosferë ushtarake. Udhëtimet kontrolloheshin, telefonatat përgjohej dhe kundërshtarët politikë zhdukeshin. “Në familjen time u ekzekutuan disa persona”, thotë ai. Si shiit, regjimi i dominuar nga klanet sunite e konsideronte të dyshimtë. Futbollistët i shpëtuan frontit, por jo represionit. Saddam Hussein ia besoi kombëtaren djalit të tij Uday, i njohur për brutalitetin e tij. Sipas Oraibit, pas humbjeve lojtarët ndëshkoheshin me kamxhik, u rruhej koka ose detyroheshin të godisnin topa prej betoni për orë të tëra. “Kishim frikë të tmerrshme. Luanim nën presion ekstrem.”

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40

Kaosi, lufta dhe humbja personale

Tre vjet pas Botërorit të vitit 1986, Ghanim Oraibi i dha fund karrierës si futbollist dhe vazhdoi punën si trajner në vende të ndryshme arabe. Ndërkohë, Iraku po fundosej gjithnjë e më shumë në krizë.

Pas përfundimit të luftës me Iranin, Saddam Husseini pushtoi Kuvajtin në vitin 1990. Pas ndërhyrjes amerikane dhe vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare, vendi u përball me varfëri të thellë. Kur Shtetet e Bashkuara rrëzuan regjimin e Saddam Husseinit në vitin 2003, shpërtheu lufta civile. Më pas, pjesë të mëdha të territorit ranë nën kontrollin e Shtetit Islamik (ISIS). Futbolli kaloi në plan të dytë.

“Kushtet ishin katastrofike”, kujton Oraibi. Megjithatë, ai u kthye në Irak për të trajnuar skuadra profesioniste dhe për t'u kujdesur për karrierën e djalit të tij, Zulfikarit, i cili gjithashtu ëndërronte të bëhej futbollist. “Ai luante mirë me të dyja këmbët dhe kishte teknikë të shkëlqyer”, thotë ai me krenari.

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40

Por ëndrra nuk u realizua kurrë. Në vitin 2016, Zulfikari humbi jetën në një atentat me bombë në Bagdad. Oraibi ende nuk e ka kapërcyer këtë humbje. Në sallonin e shtëpisë së tij ndodhen jastëkë të shtypur me fotografinë e të birit.

“Ne u ngritëm nga fundi”

Edhe në periudhat më të errëta të historisë moderne të Irakut, futbolli solli shpresë. Në vitin 2007, në kulmin e luftës civile, kombëtarja irakiane fitoi papritur Kupën e Azisë në Xhakartë. Me një gol të Yunis Mahmudit, Iraku mposhti Arabinë Saudite 1-0 në finale. Ahmed Mnajed, sot 44 vjeç, ishte pjesë e asaj skuadre.

“Ne u ngritëm nga fundi”, thotë ai ndërsa pret mysafirët në një piknik të improvizuar me çaj, fara luledielli dhe biskota pranë pallatit ku jeton me familjen e tij në Bagdad.

Sot zona ku jeton është pjesë e një kompleksi modern banimi. Por dy dekada më parë një zhvillim i tillë ishte i paimagjinueshëm. Mnajed e nisi karrierën gjatë viteve të fundit të regjimit të Saddam Husseinit. Në vitin 2004 ai u largua jashtë vendit.

“Në Irak nuk mund të luaje më futboll. Dhuna ishte bërë e padurueshme”, kujton ai.

Pas pushtimit amerikan, milicitë sunite dhe shiite vrisnin civilë në rrugë dhe luftonin si kundër njëra-tjetrës ashtu edhe kundër forcave të huaja.

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40

Mnajed luajti në kampionate modeste në vendet e Gjirit dhe në Liban. Edhe kombëtarja luante larg Irakut, kryesisht në Jordani.

“Qëndronim në hotele të rrënuara. Stërviteshim në fusha të forta ose ndonjëherë edhe në rrugë. Dhe nuk kishim as tifozë”, kujton ai.

Një masakër që u kthye në motivim

Megjithatë, në vitin 2007 kombëtarja udhëtoi drejt Indonezisë dhe shkroi një nga historitë më të mëdha të futbollit aziatik. Iraku mposhti Australinë në fazën e grupeve dhe më pas Korenë e Jugut në gjysmëfinale. Por ndërsa tifozët në Bagdad dolën në rrugë për të festuar kualifikimin në finale, një sulm vetëvrasës me makinë-bombë vrau 50 persona.

“Ishim të tronditur kur morëm lajmin”, thotë Mnajed. Megjithatë, tragjedia u bë motivim për ekipin.

“Nëna e një djali të vrarë na kontaktoi dhe na kërkoi ta fitonim trofeun për djalin e saj. Vendosëm që ta bënim këtë.”  Pak ditë më vonë, Iraku fitoi finalen dhe u shpall kampion i Azisë.

Megjithatë, pas triumfit skuadra u shpërbë. Kushtet e vështira vazhdonin të pengonin zhvillimin e futbollit në vend.

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40

Një brez që kërkon normalitet

Gjatë bisedës bashkohet edhe djali 17-vjeçar i Ahmed Mnajedit. Ai është tifoz i Barcelonës dhe, ndryshe nga i ati, flet rrjedhshëm anglisht. “Brezi im është lodhur nga konfliktet në Irak”, thotë ai. “Ne duam të jetojmë.”  Sipas tij, suksesi i vitit 2007 luajti një rol të rëndësishëm në uljen e tensioneve dhe në rikthimin e shpresës. “Pa atë fitore, Iraku nuk do të ishte aty ku është sot.”

Disa ditë më vonë, skuadra e Al-Shorta luan kundër Naftit në një stadium modern në perëndim të Bagdadit. Emrat e klubeve pasqyrojnë historinë e vendit: Al-Shorta do të thotë “Policia”, ndërsa Naft lidhet me sektorin e naftës dhe gazit. Shumica e skuadrave tradicionale irakiane janë themeluar ose financuar nga institucione shtetërore.

Në tribunën e nderit ndodhen zyrtarë policie, biznesmenë dhe ish-futbollistë që ndjekin ndeshjen duke pirë çaj të ëmbël. Në vijën anësore gjendet Ahmed Mnajed, tashmë trajner. Ai është angazhuar përkohësisht për të stabilizuar ekipin. Në atë ndeshje, Al-Shorta fiton 1-0.

Pas ndeshjes, lojtarët dhe drejtuesit mbushin korridoret e stadiumit. Futbolli irakian ka ndryshuar ndjeshëm që nga vitet 2000. Janë rritur investimet, kampionati ka nisur bashkëpunim me La Liga-n spanjolle dhe kushtet e stërvitjes janë përmirësuar. Lojtarët e kombëtares mund të fitojnë deri në 15 mijë dollarë në muaj.

Ky zhvillim pasqyron edhe ndryshimet në vend. Që prej humbjes së ISIS-it, Iraku ka arritur një nivel stabiliteti që nuk e kishte njohur prej vitesh. Në Bagdad po ndërtohen autostrada, qendra tregtare dhe hotele luksoze. Në kafene dhe restorante, ekranet gjigante transmetojnë ndeshje futbolli gjatë gjithë kohës.

Nga lufta në Botëror/ Historia e jashtëzakonshme e Irakut, pas 40

Një ekip që bashkon një vend të ndarë

Kombëtarja irakiane është një pasqyrë e vendit.

Ajo përbëhet nga veteranë dhe të rinj, nga lojtarë që luajnë në Irak dhe të tjerë që janë rritur në mërgim. Në skuadër ka sunitë, shiitë, të krishterë dhe kurdë. Në të njëjtën kohë, ajo shërben si një faktor bashkues për shoqërinë.

Megjithatë, rruga në Kupën e Botës nuk do të jetë e lehtë.

Në grup e presin Franca, dy herë kampione bote, Senegali kampion i Afrikës dhe Norvegjia, një tjetër kundërshtar i fortë.

“Ne nuk po shkojmë atje vetëm për të marrë pjesë”, thotë Zaid Ismael. Ai dëshiron të përfaqësojë vendin e tij me dinjitet. Por ka edhe një ëndërr personale.

“Pse jo në Zvicër? Te Basel apo Young Boys?”, thotë duke qeshur, ndërsa dielli perëndon mbi fushën stërvitore të universitetit.  Ndërkohë, brezat e mëparshëm e shohin situatën me më shumë rezervë.

“Ishim më të fortë në kohën tonë”, thotë Ghanim Oraibi, veterani i Botërorit 1986. “Sot shumë të rinj luajnë për para.”  Ahmed Mnajed beson se skuadra kampione e Azisë në vitin 2007 ishte më e mira që ka pasur ndonjëherë Iraku.

“Ajo skuadër ishte më e forta në historinë e futbollit irakian. Fatkeqësisht nuk arriti kurrë ta shfrytëzonte plotësisht potencialin e saj”, tha ai. /Përshtati Pamfleti nga NZZ/

 

iraku kupa e botes boterori

Lini një Përgjigje