
Vetëm në pak dekada, abstenimi i votuesve është shndërruar nga një fenomen periferik, në një element strukturor të shumë demokracive bashkëkohore. Të votuarit është bërë shpesh bërë një zgjedhje e pakicës. Dhe kjo nuk është vetëm një shenjë pakënaqësie, por një problem i cilësisë së demokracisë...
Të dhënat e pjesëmarrjes në votime nga 6 zgjedhjet e fundit lokale e kanë konfirmuar këtë: brenda pak dekadash, abstenimi zgjedhor është shndërruar nga një fenomen periferik, në një element strukturor të shumë demokracive bashkëkohore, përfshirë Italinë.
Në disa vende evropiane, votimi tani është një zgjedhje e pakicës në shumë palë zgjedhje, veçanërisht ato lokale dhe përgjithshme por edhe në referendumet lokale. Të dhënat krahasuese nga OECD dhe International IDEA, tregojnë një tendencë afatgjatë të rënies së pjesëmarrjes, me dallime të konsiderueshme midis vendeve.
Megjithatë ka një prirje të përbashkët: votimi nuk perceptohet më si një detyrë qytetare gati e vetëkuptueshme, por më tepër si një opsion midis disa të tjerëve. Kjo dukuri, nuk është vetëm një tregues i pakënaqësisë: është një problem i cilësisë së demokracisë.
Abstenimi i lartë, veçanërisht nëse është përzgjedhës nga pikëpamja sociale (të rinjtë, të varfrit, periferitë), e dëmton përfaqësimin e institucioneve dhe mund të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e tyre thelbësor, edhe kur respektohet plotësisht legjitimiteti formal.
Në nivel evropian, studimet e fundit mbi tendencat e pjesëmarrjes në të gjitha vendet e BE-së zbulojnë një pamje të larmishme por të përputhshme: pjesëmarrja në votime, krahasuar me vitet 1970-1980, është mesatarisht më e ulët dhe më e paqëndrueshme.
Një raport i vitit 2024 nga projekti TrueDem, tregon se si në shumë demokraci evropiane, pjesëmarrja në votime ka rënë vazhdimisht nën 70 për qind, me rënie veçanërisht të theksuara në disa vende të Evropës Perëndimore dhe Jugore, siç është Italia. Një rast konkret janë zgjedhjet evropiane.
Në vitin 1979, në raundin e parë të votimit të drejtpërdrejtë, pjesëmarrja në të gjitha vendet anëtare të Komunitetit Evropian ishte rreth 62 për qind. Në vitin 2014, ajo ra në rreth 42.6 për qind. Vetëm në vitet 2019 dhe 2024, pati një rimëkëmbje të pjesshme, me pjesëmarrje të përgjithshme përkatësisht rreth 50.7 dhe 50.74 për qind, sërish shumë nën nivelet fillestare.
Rasti italian është veçanërisht domethënës, pasi vendi ka pasur historikisht një pjesëmarrje shumë të lartë në votime, shpesh mbi 90 për qind, në zgjedhjet gjatë Republikës së Parë.
Në zgjedhjet parlamentare të 2018-ës, pjesëmarrja në votime luhatej rreth 72.9 për qind, por në vitin 2022 ra në 63.9 për qind, niveli më i ulët në historinë e Republikës. Edhe zgjedhjet e fundit rajonale treguan shifra alarmante. Votuan më pak se një në dy qytetarë.
Problemi është edhe më i dukshëm në referendume, ku kërkohet një kuorum prej 50 për qind plus 1 votues. Këtë vit, një seri referendumesh mbi shtetësinë dhe të drejtat e punës, pavarësisht se morën përqindje shumë të larta votash pro, nuk arritën të arrinin një kuorum, me pjesëmarrje prej 30.6 për qind.
Pra një pakicë aktive, nuk është në gjendje as të “vërë në lëvizje procesin e vendimmarrjes”, duke shënuar një krizë midis mjeteve të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe angazhimit të vërtetë qytetar. Për ta kuptuar abstenimin, nuk mjafton thjesht të shohim votuesit: duhet të vëmë në pikëpyetje se kush i përfaqëson ata dhe cilësinë e demokracisë.
Për dekada të tëra, partitë politike, veçanërisht në epokën “republikane” të pasluftës, ishin kanali kryesor i ndërmjetësimit midis shoqërisë dhe institucioneve. Po ashtu, ishin “fusha stërvitore” ku njerëzit mësonin rreth jetës së re qytetare dhe demokratike.
Teoria e sociologëve Lipset dhe Rokkan mbi përçarjet sociale (klasa, feja, qendra-periferia, kapitali-puna) shpjegon shumë qartë se si partitë ishin shprehja politike e konflikteve të thella dhe të dallueshme sociale. Por dekadat e fundit, kanë ndodhur të paktën 3 transformime strukturore.
Se pari, kemi një rënie e anëtarësisë dhe bazës së mbështetësve. Në gati gjithë vendet perëndimore, anëtarësia në parti ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitet 1970-1980. Në shumë raste, raportohet një rënie me 2/3. Partitë janë më pak të pranishme në lagje, vende pune dhe mjedise shoqërore.
Së dyti është përputhshmëria programatike dhe “kartelizimi”. Riçard Katz dhe Peter Mair flasin për shfaqjen e “partisë së kartelit”, një formë partie që ekziston në simbiozë me shtetin, duke u mbështetur shumë tek fondet publike dhe duke zvogëluar konkurrencën në disa zgjedhje të rëndësishme politike. Distanca ideologjike midis partive kryesore qeverisëse, tenton që të ngushtohet, ndërsa rritet distanca e tyre nga qytetarët e zakonshëm.
Së treti është personalizimi dhe paqëndrueshmëria. Studimet mbi ndryshimin organizativ të partive në Evropë, tregojnë një tendencë drejt përqendrimit tek udhëheqësi, komunikimit të drejtuar nga media, ndërtimit të “markave politike” dhe reduktimit të strukturave ndërmjetëse. Kjo prodhon aktorë politikë që janë shumë të dukshëm gjatë fushatave zgjedhore, por shpesh të dobët si organizata shoqërore të qëndrueshme. Rezultati është një krizë e funksionimit: partitë e kanë të vështirë të përfaqësojnë interesa kolektive të qëndrueshme, të zgjedhin një klasë sunduese me vizione afatgjata, e cila të veprojë si një “shkollë demokracie” për qytetarë të rinj aktivë, siç ndodhi në periudhën menjëherë pas luftës.
Votuesit e perceptojnë këtë transformim, dhe kur nuk njohin asnjë nga propozimet sepse nuk ndërthuren me jetën e tyre për ta ndryshuar atë për mirë, zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi. Por abstenimi është edhe një simptomë e hendekut në rritje midis institucioneve dhe qytetarëve.
Për këtë ekzistojnë disa faktorë kyç. Para së gjithash, është mungesa e besimit në aftësinë e politikës për të ndikuar mbi jetën e njerëzve. Në kontekste të karakterizuara nga stanjacioni ekonomik, rritja e pasigurisë në punë dhe pabarazia, shumë qytetarë perceptojnë se një ndryshim në qeveri ka pak ndikim në situatën e tyre konkrete.
Një studim mbi zgjedhjet italiane të vitit 2022, tregoi se si pasiguria e përhapur ekonomike ndikoi në mobilizimin dhe zgjedhjet e bëra nga qytetarët, por edhe në vendimin për të mos marrë pjesë në proces. Për më tepër, çështje të tilla si kufizimet buxhetore evropiane, reformat strukturore dhe politikat monetare perceptohen si “të panegociueshme” dhe të largëta.
Nëse vendimet që konsiderohen thelbësore, duket se zhvendosen përtej kontrollit të zyrtarëve të zgjedhur, votuesit kanë tendencë të arrijnë në përfundimin se vota e tyre ka pak rëndësi. Tek abstenimi ndikojnë dhe skandalet dhe korrupsioni i perceptuar, të cilat kanë prekur si klasat politike ashtu edhe ato menaxheriale në disa administrata publike.
Incidentet e korrupsionit, nepotizmit dhe përdorimit privat të pushtetit, nxisin narrativën se “të gjithë janë njësoj”, e cila inkurajon distancimin nga pjesëmarrja. Së fundmi, dobësimi i përkatësive të vjetra klasore, fetare ose ideologjike, nuk është zëvendësuar nga kanale të reja dhe të qëndrueshme të angazhimit dhe integrimit.
Rezultati janë qytetarët shpesh të vetmuar, tejet të ekspozuar ndaj rrjedhave të komunikimit dixhital, por shpesh apatikë në hapësira kolektive për diskutim dhe reflektim, sidomos ata të moshës 30-54 vjeç.
Abstenimi krijon një rreth vicioz: sa më pak njerëz votojnë, aq më shumë politika drejtohet nga segmente të ngushta, që preferojnë një udhëheqës të vetëm, i gatshëm ta shohë demokracinë e kufizuar si mjet për zgjidhjen e problemeve; sa më e mbyllur dhe vetë-referuese të shfaqet politika, aq më pak qytetarë besojnë se ia vlen të marrin pjesë.
Për të ndryshuar këtë tendencë, nuk mjafton një thirrje e përgjithshme ndaj “detyrimit për të votuar”. Nevojiten ndërhyrje strukturore, në nivele të shumëfishta, duke përfshirë institucionet, aktorët politikë dhe shoqërinë civile.
Mbi të gjitha, është e nevojshme të reformohen vërtet partitë, të çlirohen nga kafazet e brendshme, duke filluar nga rrymat personale dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen në jetën partiake duke hapur ose rihapur vende me funksione të vërteta dhe jo më poste të zgjedhura për këtë apo atë person./Përgatiti Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje