
Një nga goditjet më të mëdha ndaj grupeve shqiptare në territorin spanjoll është finalizuar këtë javë pas një hetimi dyvjeçar të Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile. Autoritetet kanë shkatërruar një rrjet të gjerë trafiku ndërkombëtar që përdorte Ishujt Balearikë si bazë për shpërndarjen e sasive të mëdha droge drejt Spanjës dhe Europës.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 687 kilogramë kokainë, 2.500 kilogramë hashash dhe mbi 1.5 milionë euro në para, ndërsa janë arrestuar disa prej drejtuesve kryesorë të organizatës, përfshirë trafikantë shqiptarë, një avokat spanjoll dhe një inspektor policie i akuzuar për bashkëpunim me grupin kriminal.
Sipas mediave spanjolle, rrjeti i drejtuar nga Milojevic, një emër i lidhur me elementë të botës së krimit shqiptar, përdorte Ibiza-n si derë hyrëse të drogës në Europë. Sasitë e mëdha mbërrinin me anije tregtare nga Afrika dhe Amerika e Jugut, ndërsa paketat hidheshin në det të hapur dhe më pas merreshin nga anije të vogla e të shpejta që i sillnin në brigjet e ishullit.
Në Ibiza, mafia kishte ngritur infrastrukturë për magazinimin e drogës para shpërndarjes, duke përdorur edhe pajisje gjurmimi në automjetet e policisë për të shmangur ndjekjen. Nga aty, një pjesë e madhe e ngarkesave transportohej me kamionë drejt Mallorca-s dhe Valencia-s, ku rrjeti kishte rrënjë të forta për shitjen dhe shpërndarjen e drogës tek klane lokale si Son Banya, La Soledat dhe Corea.
Hetuesit kanë identifikuar avokatin Gonzalo Márquez si “trurin” e operacionit financiar të rrjetit, i cili përmes disa kompanive fiktive kishte blerë tre hotele në Mallorca, Pamplona dhe Almansa, për të pastruar paratë e drogës. Në një nivel tjetër të strukturës vepronte inspektori i Policisë Kombëtare, Faustino Nogales, i cili dyshohet se u siguronte trafikantëve informacione sekrete për lëvizjet e hetuesve.
Operacioni përfundoi në gusht, me arrestimin e Milojevic, Márquez dhe Nogales, të tre tashmë në burg në pritje të gjykimit. Sipas hetuesve spanjollë, rrjeti i drejtuar nga elementë shqiptarë ishte ndër më të fuqishmit në tregun europian të kokainës dhe hashashit, me fitime që kalonin 25 milionë euro në vetëm dy vite aktivitet.
Lini një Përgjigje