Kronike18 Mars 2023, 11:24

U arrestua 2 muaj para zgjedhjeve, Lefter Alla "shigjeton" Ramën: Më mirë të më thoshin hap krahun sesa gjyqe politike

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua 2 muaj para zgjedhjeve, Lefter Alla "shigjeton" Ramën:

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka dalë para Gjykatës ditën e sotme ku do të mësojë masën e sigurisë që do të vendoset ndaj tij.

Ndërkohë që mësohet se Alla gjatë seancës i ka quajtur politike akuzat e ngritura ndaj tij. Me fjalën e thënë para gjyqtarëve ai ka shigjetuar edhe kryeministrin Rama. Kjo pasi ai u shpreh se do ishte më mirë t’i thonin që të hapte krahun sesa ti bënin gjyqe publike. Duke lënë të kuptohet se arrestimi i tij dy ditë më parë, ka marrë edhe “bekimin” e Ramës.

Në gjykimin tim më mirë të më thoshin hap krahun, se sa të bëhen këto gjyqe politike. Arrestimi im është politik. Nuk kam kryer shkelje te ligjit”, mësohet të ketë thënë Alla.

Ndërkaq vijon seanca për verifikimin e masës së sigurisë ndaj Allës dhe zyrtarëve të tjerë bashkë me përfaqësuesit e firmave private.

Kujtojmë se Alla, i cili u arrestua dy ditë më parë, akuzohet për korrupsion si dhe për abuzim me tenderët publikë. Kryebashkiaku është vënë në pranga me urdhër të SPAK. Bashkë me Allën është arrestuar edhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi dhe 11 të tjerë që janë identifikuar si: Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja Aqif Konesha, Kastriot Ibrahimaj, Ana Nishku.

Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Alla, u fitua nga një kompani BOE England e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.

 

 

 

lefter alla gjykatë