Një 27-vjeçar nga fshati Roshnik i Beratit ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap në flagrancë me lëndë narkotike dhe armë pa leje. Arrestimi i tij u bë gjatë natës, në aksin rrugor “Berat-Dimal”, ku ai po qarkullonte me automjet dhe dyshohej se mbante sende të kundërligjshme.
Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se gjatë kontrollit fizik, të arrestuarit me inicialet A. Z. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa. Pas ndalimit, policia kontrolloi edhe banesën e tij ku gjetën një tjetër sasi droge, një armë gjahu me fishekë dhe një pistoletë sportive.
Policia vijon hetimet për të zbardhur tërësisht rrethanat dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
"Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacione policore të siguruara në rrugë operative se një shtetas po qarkullonte me automjet, me sende të kundërligjshme, ka organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacionin policor të koduar “Nata”.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi 27 vjeçar, banues në fshatin Roshnik, Berat.
Gjatë natës, në aksin rrugor “Berat-Dimal”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin që drejtonte shtetasi A. Z. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. Z., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë gjahu, fishekë arme gjahu dhe 1 pistoletë sportive", njofton policia.
Lini një Përgjigje