Një nga pistat e hetimit është ajo e hakmarrjes...
Detaje të tjera kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në Mirditë, ku humbi jetën 45-vjeçari Valter Lleshi.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 07:10, Lleshi është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij tip “Toyota” në fshatin Shkorrët, në aksin rrugor Reps–Spaç. Dyshohet se ai është qëlluar me armë zjarri teksa po udhëtonte.
Burime bëjnë me dije se viktima ishte punonjës i kompanisë së nxjerrjes së bazaltit në Spaç. Po kësaj kompanie, në muajin mars të këtij viti, iu vendos një sasi lënde plasëse në një prej makinerive, por shpërthimi nuk ndodhi.
Ndërkohë, një nga pistat e hetimit që po heton policia është ajo e hakmarrjes. Emri i Valter Lleshit ishte përmendur edhe më herët në një ngjarje të rëndë kriminale. Ai dyshohej si autor i vrasjes së Anton Kelit, taksist nga Rrësheni, ngjarje e ndodhur në vitin 2020. Megjithatë, rrethanat e plota dhe çdo lidhje e mundshme mes ngjarjeve mbeten objekt i hetimeve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje dhe nisën kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë po punon për administrimin e provave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Deri tani nuk janë bërë të ditura motivet e krimit, ndërsa hetuesit po verifikojnë të gjitha pistat e mundshme që mund të ndihmojnë në zbulimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
“Rreth orës 07:10, në fshatin Shkorret, Mirditë, në aksin rrugor Reps–Spaç, është gjetur në automjet, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi V. Ll., rreth 45 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje