Është publikuar fotoja e 45-vjeçarit Valter Lleshi, i cili u vra me breshëri plumbash mëngjesin e së hënës në fshatin Shkorrët të Mirditës.
Lleshi u gjet i pajetë brenda një automjeti të kompanisë ku ishte i punësuar, përgjatë aksit rrugor Reps–Spaç. Sipas hetimeve paraprake, ai është qëlluar me breshëri plumbash automatiku teksa po shkonte në vendin e punës, duke marrë plagë të shumta që i shkaktuan vdekjen në vend.
Në vendngjarje janë sekuestruar 18 gëzhoja, ndërsa viktima është gjetur nga një tjetër punëtor i kompanisë, i cili po shkonte gjithashtu në punë dhe ka njoftuar menjëherë policinë.
Valter Lleshi ishte punonjës i kompanisë “Balkan Basalt”, një kompani me pronësi holandeze e specializuar në prodhimin e gurit të bazaltit, me impiant përpunimi në Spaç. Edhe automjeti me të cilin udhëtonte 45-vjeçari rezulton të ishte në pronësi të kompanisë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore ku po përqendrohen hetimet është ajo e hakmarrjes. Një nga dyshimet që po verifikohet lidhet me përfshirjen e mundshme të Lleshit në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen, një ngjarje e ndodhur vite më parë. Keli rezulton të ketë qenë i afërm i Armando Gjinit.
Megjithatë, burime policore sqarojnë se deri më tani Valter Lleshi nuk ka qenë as i hetuar dhe as i skeduar si person i dyshuar për vrasjen e Anton Kelit, ndërsa çdo lidhje e mundshme mes dy ngjarjeve mbetet në fazën e verifikimit.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu edhe ngjarje të tjera që mund të kenë lidhje me viktimën. Në muajin mars të këtij viti, një makinerie të tonazhit të rëndë që drejtohej nga Lleshi në kompaninë ku punonte iu vendos lëndë plasëse, por ajo nuk shpërtheu.
Në zonën ku ndodhi krimi nuk ka kamera sigurie, çka e vështirëson punën hetimore. Policia po vijon kontrollet në terren, ndërsa po përdoren edhe qen gjurmues për të gjetur prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të ekzekutimit.
Lini një Përgjigje