TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Maj 2025, 16:49

Fotografoi votën, arrestohet në flagrancë një qytetar në Librazhd

Shkruar nga Pamfleti

Fotografoi votën, arrestohet në flagrancë një qytetar

Skandalet e ditës zgjedhore nuk kanë munguar as në Librazhd, ku një person është arrestuar në qendrën e votimit në fshatin Spathar, pasi është kapur duke fotografuar votën e tij. Sipas informacioneve të para, veprimi i paligjshëm është konstatuar nga anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë.

Menjëherë pas ndalimit, qytetarit i është sekuestruar telefoni dhe është bërë verifikimi i përmbajtjes, ku është konfirmuar fotografimi i fletës së votimit – një shkelje e rëndë e Kodit Zgjedhor që ndalon rreptësisht dokumentimin apo publikimin e votës së dhënë.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se pas sekuestrimit të pajisjes dhe përfundimit të verifikimeve, votimi në këtë qendër u pezullua përkohësisht për të garantuar qetësinë dhe integritetin e procesit.

Ky është rasti i disatë i raportuar gjatë ditës së sotme për manipulim apo presion në qendrat e votimit, çka tregon për një mungesë të theksuar kontrolli dhe ndërgjegjësimi mbi rregullat zgjedhore. Pamfleti vijon ndjekjen e situatës në çdo qark të vendit dhe i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje që cenon lirinë e votës.

Lini një Përgjigje