
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e nënkomisarit Edison Pema në Elbasan.
Mësohet se nënkomisari Pema i kishte dhënë hua 50 mijë euro një personi dhe i merrte kamatë çdo muaj 2 mijë euro. Përveç kësaj i kishte marrë edhe 5 automjete dhe ia mbante peng nën presion, shkruan BW.
Personi ka shkuar ka bërë denoncim dhe pas hetimeve janë faktuar pretendimet e tij dhe është bërë arrestimi i efektivit Edison Pema.
Përveç interesit mujor të jashtëligjshëm, Pema kishte marrë peng 5 automjete në pronësi të viktimës, duke ushtruar mbi të kanosje dhe presion të vazhdueshëm për të siguruar kthimin e shumës me përfitime të larta.
“Në kuadër të operacionit “Last rent” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Elbasan, u ndalua punonjësi i policisë N/Komisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Në vijim të hetimeve të thelluara me metoda speciale u bë i mundur ndalimi i këtij punonjësi, i cili i jepte hua (fajde) personave të ndryshëm dhe më pas nëpërmjet kanosjes ose dhunës i shtrëngonte këta të fundit për kthimin e vlerave të konsiderueshme të parave.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 5 automjete të vitprodhimeve të fundit në pronësi të personave të ndryshëm. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje