Një 44-vjeçar me origjinë shqiptare është vrarë në Kolumbi, nga një shtetas venezulian.
Viktima është identifikuar si Artur Tuçi, ndërsa autori ka rënë në prangat e policisë.
Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh, ndërsa sipas mediave të huaja autori fillimisht e pyeti për emrin më pas e qëlloi.
Në atentatin me pagesë, një grua që shoqëronte shqiptarin, mbeti e plagosur.
Hetimet e InSight Crime tregojnë se rrjetet shqiptare janë një aktor kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike.
Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuest e kokainës (si p.sh. disidentët e FARC ose Los Urabeños në Kolumbi) me qëllim që të sigurojnë çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë.
Ky pozicionim strategjik u ka lejuar atyre të shndërrohen në përfitues të mëdhenj të bumit të prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, duke e blerë drogën për afërsisht 2.000 deri në 4.000 dollarë për kilogram dhe duke e rishitur në Europë për 30.000 deri në 40.000 dollarë.
Edhe pse shpesh quhen “mafia shqiptare”, në fakt janë rrjete të decentralizuara, si p.sh. “Kompania Bello”, qëllimi kryesor i të cilave në Ekuador është të negociojnë marrëveshje, të nënkontraktojnë transportin e dërgesave tek grupet ekuadoriane dhe të pastrojnë para përmes blerjes së kompanive fiktive të eksportit dhe importit, veçanërisht në portin e Guayaquil.
Një rast shembullor është ai i Dritan Gjikës (i njohur si “Tonny”), një trafikant shqiptar që u vendos në Ekuador që nga viti 2009, duke u shtirur si biznesmen dhe duke ndërtuar një perandori të fuqishme të trafikut të drogës.
Gjika konsiderohet si një pionier, pasi u pozicionua në zinxhirin e furnizimit si një ofrues kyç i kokainës. Rrjeti i tij trafikonte tonelata kokainë kolumbiane drejt Europës përmes Ekuadorit dhe lidhej me sekuestrime prej më shumë se 9.5 tonësh.
Për të operuar, Gjika ngriti një rrjet të sofistikuar të bazuar në përdorimin e kompanive fiktive, nënkontraktim, komunikim përmes chat-eve të koduara dhe, më e rëndësishmja, në mbrojtjen e kontakteve të nivelit të lartë brenda elitave ekonomike dhe të sigurisë ekuadoriane, përfshirë, sipas raporteve, edhe ish-shefen e policisë.
Prania shqiptare në Guajakil gjithashtu karakterizohet nga konkurrenca e dhunshme midis këtyre rrjeteve ballkanike, gjë që është shfaqur përmes vrasjeve të anëtarëve të dyshuar të mafias në këtë qytet portual.
Lini një Përgjigje