TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Gusht 2025, 11:23

Kanosën me armë zjarri një shtetas te Kthesa e Kamzës, arrestohen dy vëllezërit

Shkruar nga Pamfleti

Kanosën me armë zjarri një shtetas te Kthesa e Kamzës,

Dy vëllezër, 25 dhe 27 vjeç, janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pas një incidenti që kanë pasur me një tjetër person, që dyshohet se e kanë kanosur me armë zjarri.

Policia bëri të ditur se të arrestuarit janë Ledio dhe Ronaldo Matranxhi. Sipas policisë, dyshohet se ata kanë kanosur me armë zjarri një 32-vjeçar, në zonën e njohur si Kthesa e Kamzës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin Nr. 7, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës” një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një 32-vjeçar, gjatë një konflikti mes tyre, organizuan punën dhe ndërhynë me shpejtësi për kapjen e autorit të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L. M., 27 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri shtetasin A. R., 32 vjeç.

R. M., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka fshehur armën e zjarrit të përdorur nga vëllai i tij, menjëherë pas ngjarjes.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit të përdorur në ngjarje, një sasi municioni luftarak dhe automjetin, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia.

Lini një Përgjigje