SPAK kontroll në furgon për shenja gishtash...
Furgoni me armë i kapur më 29 tetor në “Myslym Shyri” ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme. Në total, brenda furgonit u gjetën 23 armë zjarri të llojeve të ndryshme, 5 prej të cilave snajperë. Po ashtu u kapën 15.000 fishekë, kuti me pranga dhe uniforma policie, pjesë armësh, pajisje për shpërthime në distancë dhe gjurmuese etj.
Policia vuri në pranga 34-vjeçarin Eugert Sino, por dosja ka kaluar te SPAK, pasi dyshimet janë se armët i përkasin një grupi të strukturuar kriminal. Sino u arrestua sepse furgoni rezulton në emër të tij. Por, sipas burimeve të “Pamfletit”, i riu është marrë në pyetje nga SPAK dhe ka deklaruar se ai nuk ka hipur kurrë në atë mjet.
Edhe në polici, Sino ka deklaruar para hetuesve se mjetin e kishte vendosur në pronësinë e tij me kërkesë të një personi të njohur vetëm me emrin Bledar, pa e ditur mbiemrin e tij. Në deklarimet para hetuesve, ai këmbëngul se nuk ka pasur kurrë lidhje me këtë mjet dhe, për këtë arsye, SPAK ka urdhëruar që të merren shenjat e gishtave brenda furgonit. Kjo, për të zbuluar nëse ka lidhje i riu, por edhe për të shkuar te personat e tjerë që e përdorin mjetin.

Dyshimet paraprake të SPAK janë se armët kanë lidhje me grupin e Aurel Hoxhës, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK si porositësi dhe organizatori i vrasjes së Klevis Lleshit në vitin 2020. Aurel Hoxha është pronar i lokalit “Monopol”, i cili u sekuestrua nga SPAK pak kohë më parë. 34-vjeçari Sino punonte në këtë lokal dhe dyshimet janë se e kanë shfrytëzuar për të vënë furgonin në emër të tij.
Elementi tjetër është se ai ishte kamufluar si furgon për mirëmbajtjen rrugore. Ajo që bie në sy është se në furgon shihej logoja e kompanisë “Gener 2” e Bashkim Ulajt. Nuk dihet nëse kompania ka lidhje me personat në fjalë apo thjesht përdorej si kamuflim. Por, sipas burimeve, SPAK po avancon shumë në hetimet dhe dyshimet janë se janë disa personazhe të lidhur me armët. Ka dyshime se ky grup ka siguruar armët për disa atentate në vend dhe armët e sekuestruara do përdoreshin po për vrasje.
Sa i takon aksionit, u kapën 12 pistoleta të llojeve “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”; 6 armë automatike; 5 armë me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper); 1 silenciator; 17 krehra për armë zjarri të ndryshme; pjesë të ndryshme armësh zjarri; 15.000 fishekë; 17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia; 12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë; pajisje elektronike gjurmuese (GPS); pajisje për bllokimin e valëve; pajisje për numërimin e kartëmonedhave; 3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje