
Arrestohet në Kolumbi Samir Rosales Rodriguez, pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të Komunës në Frakull të Fierit, Viktor Çervanakut.
Njoftimi për kapjen e Samir Rosales Rodríguez, i njohur si “Kimisti”, u bë nga Policia e Kolumbisë, e cila koordinoi veprimet së bashku me zyrat kombëtare të Interpolit në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri.
Arrestimi, i kryer pas një njoftimi të kuq të Interpolit, nxjerr në pah shtrirjen transacionale të operacioneve kriminale të lidhura me Kartelin e Ballkanit, shkruan media Info Bae.
Sipas informacionit të dhënë nga drejtori i Policisë Kombëtare në llogarinë e tij në X, Rosales, me kombësi kolumbiane, ishte i specializuar në drejtimin e punëve teknike për nxjerrjen e kokainës në Evropë, duke përdorur metoda të destinuara për të fshehur substancën mes produkteve të ndryshme.
Hetimet e kanë identifikuar atë si përgjegjësin kryesor për të udhëhequr “procesin teknik të nxjerrjes së kokainës të fshehur mes substancave të ndryshme”, praktikë që lehtësonte futjen e drogës në kontinentin evropian.
Ai ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare pasi akuzohej për trafikim të paligjshëm narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, duke zbuluar gjithashtu se mbante rolin e lidhjes mes organizatave mafioze shqiptare, të pranishme në Amerikën e Jugut, dhe strukturave lokale të trafikut të drogës.
Sipas raportit të policisë, Rosales mbikëqyrte drejtpërdrejt logjistikën e disa ngarkesave të kokainës, të transportuara nga Paqësori kolumbian dhe të fshehura kryesisht në plehra organikë.
Lini një Përgjigje