
Dhunimi dhe marrja peng e Ilir Topçiut ka shkundur Policinë e Korçës.
Pas ngjarjes në Devoll, ku Ilir Topçiu u rrëmbye dhe u dhunua për disa orë, Policia e Shtetit ka marrë masa disiplinore ndaj drejtuesve lokalë.
Është shkarkuar nga detyra drejtori i Policisë së Korçës, Erion Ahmeti dhe është pezulluar zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit, Hajri Kushe.
Policia njofton se Ahmeti nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën lidhur me ngjarjen.
Gjithashtu është nisur hetim disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Policisë Korçë dhe Komisariatit Devoll.
Në vend të Ahmetit, përkohësisht është emëruar Islor Islami, që më parë drejtonte Policinë e Kufirit në Kukës.
Kujtojmë se pjesë e 3 rrëmbyesve që morën peng për disa orë 32-vjeçarin Topçiu ishte dhe vëllai i Bledion Nallbatit, Alti Nallbati.
Në pranga janë vendosur Alti Nallbati, vëllai i deputetit Bledion Nallbati, Marsel Buci dhe Trajan Çeliku.
"Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.
Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur:
Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti.
Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.
Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë."-njofton policia.
Policia është e dështuar fund e krye!!
Po te mendosh çdo dite si te besh leke sigurisht nuk merresh dot me sigurine e qytetareve. Kjo polici eshte ne Korçë. Duhet investigim i plote per kete drejtor hajdut qe di vetem policine rrugore por aksidente çdo dite, zv/drejtor injorant etj me poshte te gjithe shoket e tij qe ka marre aty.