TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Korrik 2025, 10:05

Mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, Apeli ul me 2 vite burg dënimin për ish-drejtorin e Kadastrës Gjirokastër

Shkruar nga Pamfleti
Mashtrim dhe falsifikim dokumentesh,  Apeli ul me 2 vite burg dënimin
Florian Taçi, ish-drejtor i Kadastrës Gjirokastër

Gjykata e Apelit i ka ulur dënimin me 2 vite burg ish-kreut të Kadastrës Florian Taçit.

Apeli shpalli fajtor Florian Taçin, ish-drejtorin e Kadastrës së Gjirokastrës, por duke bërë një ndryshim nga shkalla e parë, i ka zbritur dy vite dënim. Nga 6 vite burg që ishte dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës, ish-zyrtari është dënuar me 4 vite për dy vepra penale, atë të mashtrimit dhe falsifikimit.

Kryesuesja e seancës gjyqësore Valdete Hoxha ka vendosur lënien në fuqi të vendimit për dënimin e zyrtarit socialist Florian Taçit, duke ndryshuar vetëm masën e dënimit që kishte dhënë kohë më parë Gjykata e Faktit në Gjirokastër, e cila i kishte akorduar 6 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar, pasi Taçi pranoi që kishte konsumuar veprat penale dhe shkaktuar në dëm të qytetarëve dhe shtetit. Apeli ka dhënë 4 vite burg.

Taç kishte kërkuar gjykim të shkurtuar dhe do të vuajë dënimin me 2.8 vite burg. Prej kësaj zbritet dhe koha e vuajtur në shtëpi të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës, ku i mbetet më shumë se 1 vit e gjysmë që të vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.

Pritet nga momenti në moment urdhër-ekzekutimi nga prokurori i çështjes që Florian Taçi të vuajë dënimin e ngelur.

Ndërkohë, u la në fuqi dënimi për bashkëpunëtorin e tij të ngushtë në aferat e paligjshme Alban Memisha me 4 vite burg, por që do të vuajë 2.5 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa lihet i lirë nga akuzat Julian Nakuçi, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër kishte dhënë vendimin për detyrim paraqitje me 8 muaj.

Florian Taçi, ish-kreu i Kadastrës në Gjirokastër dhe Alban Memisha punonjës në këtë institucion, u arrestuan në flagrancë në një aksion blic më 28 Shkurt të vitit 2024 pasi u gjetën duke përpiluar tapi të falsifikuara në zyrën e ish-zyrtarit socialist, pranë Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Taçi kishte akses të plotë në serverin qendror të Kadastrës së Shqipërisë, nga ku penetronte me dëshmitë e pronësive duke u dhënë prona me vula digjitale personave të tjerë.

Lini një Përgjigje