Kronike 2 Mars 2024, 15:24

Mashtronte e falsifikonte dokumente, lihet në burg ish-drejtori i Kadastrës së Gjirokastrës

Shkruar nga Pamfleti

Mashtronte e falsifikonte dokumente, lihet në burg ish-drejtori i

Ish-drejtuesi i Kadastrës së Gjirokastrës, Florian Taçi, mbetet në burg pasi shkalla e parë e gjyqësorit në Gjirokastër ka vendosur që Taçi të vuajë ditët e paraburgimit në Burgun e Sigurisë së lartë në Tepelenë.

Seanca e sotme e vlerësimit të masës së arrestit ka zgjatur një ore e gjysmë ku prokurori Gazmend Frëngu ka renditur shkeljet ligjore të konstatuara gjatë momentit të arrestimit në flagrancë të Taçit dhe Alban Memishës ish-hartografit të Kadastrës.

Sipas provave të paraqitura nga prokurori Frëngu, Taçi dhe Memisha kanë cënuar sistemin kombëtar të Kadastrës duke dhënë çertifikata pronësore në qindra raste për pasuri të ndryshme të paluajtshme.

Pas paraqitjes se provave nga prokurori Frëngu, avokatet Piro Boboli për Florian Taçin dhe Arben Pasho për Alban Memishën patën kërkuar arrest shtëpie.

Ndërsa pas pretendimeve të avokatëve mbrojtës, gjyqtarja Enkelejda Selmanaj është tërhequr duke dhënë më pas vendimin që le në burg pa afat ish-kreun e Kadastres, Florian Taçi dhe bashkëpunëtorin e tij Alban Memishaj.

Florian Taçi është arrestuar në shkurt, si pasojë e operacionit mes Policisë së Tiranës dhe asaj të Gjirokastrës, Prokurorisë dhe Gjykatës së Faktit Gjirokastër.

Akuza që rëndon ndaj Taçit është për mashtrim, falsifikim dokumentash në bashkëpumim.

gjirokaster florian taci