
Eraldo Muçi, 30 vjeç, i njohur si miku i Alkesandër Sadikajt, i cili u ekzekutua me një bombë me telekomandë pak vite më parë, ngjarje që në atë kohë tronditi opinionin publik, rezulton i zhdukur prej pothuajse dy javësh. Alarmi është dhënë nga familjarë të Eraldo Muçit, që kanë depozituar në policinë e Memaliajt një denoncim mbi zhdukjen e të riut.
Ishte babai 73-vjeçar nga fshati Bylysh, i cili i ka thënë efektivëve se i biri ishte larguar nga banesa që prej datës 15 qershor dhe nuk është kthyer më.
Sipas raportimeve, Muçi mendohet se ka qenë miku i Sadikajt, i njohur ndryshe si Sanço.
Në këtë pikë lindin edhe dyshimet për një ngjarje kriminale të mundshme, me motiv hakmarrjen, duke pasur parasysh rrjedhën e ngjarjeve që lidhen me emrin e Aleksandër Sadikajt.
Por policia tregohet e rezervuar dhe nuk ka ende ndonjë të dhënë apo provë konkrete.
Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Për herë të fundit është parë në autostradën Tiranë-Durrës dhe prej aty ka humbur gjurmët. Familja ngre dyshime të forta se atij mund t’i ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje.
Babai i Eraldo Muçit ka folur për “Blu Tv”, ku ka dhënë edhe disa nga rrethanat e largimit, kur është parë për herë të fundit dhe dyshimet që ka tek ndonjë nga shokët që edhe mund ta ketë futur në kurth. Ai u shpreh se është shumë i shqetësuar dhe se i biri nuk kishte konflikte apo borxhe. Hera e fundit Eraldo sipas tij ishte parë në Sukth.
“Ishte e diela e 15 qershorit, në mbrëmje, foli në telefon me të ëmën, e pyeti ça po bënte. i tha se po hante bukë me qepë, ca qepë të vogla. E që atë dite, me sa dini ju, dimë edhe ne.
Sherr në fshatin Bylysh nuk ka pasur, edhe borxh nuk ka pasur. Këto të dyja janë kryesore, borxhi dhe zënia, kaq. Pastaj, pas një jave bëra denoncimin në Memaliaj, kam vajtur 4-5 herë atje, bëra denoncimin, dokumentat, nuk kemi asnjë informacion deri tani. Asnjë sinjal, se është i gjallë, se është i vdekur, ai është evlati im. Kam tre fëmijë. Nuk kishte asnjë problem, asnjë shqetësim. Kur është nisur, që ka ikur, është parë në Durrës, ka çuar makinën te karburanti i Sukthit, e la 3-4 ditë atje, vete ia merr një shok dhe e ka çuar te shpia. Kishte makinën e tij djali”, shprehet i moshuari.

Më tej, ai thotë se i biri kishte shokë në disa vende dhe kërkonte që t’ia kthenin në shtëpi, pasi ka 17 ditë pa gjumë.
“Ai ka shokë në çdo vend, në Memaliaj, Tepelenë, Durrës, kudo. Mund të jetë ndonjë shok i mirë, por mund të jetë ndonjë që i futi thikën dhe hajt ta gjej. Këto të dyja janë. Jemi shumë të shqetësuar. Kam 17 ditë pa gjumë, jam i moshuar 73-74 vjeç, po ça të bëjmë. Djali është 30 vjeç, ishte pa punë, kur i dilte ndonjë punë shkonte. Kishte një kredi, ato po ia laj unë. Nuk e di, kush e pa tek e pa, vetëm Zoti e pa atë punë. Atij që e ka parë, shokut i them të ma sjellë djalin në shtëpi”, shprehet babai.
Edhe Policia e Gjirokastrës ka bërë një njoftim të shkurtër pas ngjarjes.
“Më datë 24.06.2025, në Stacionin e Policisë Memaliaj ka kallëzuar shtetasi S. M., 73 vjeç, banues në fshatin Bylysh, se djali i tij, shtetasi E. M., 30 vjeç, është larguar nga banesa, më datë 15.06.2025. Punohet për gjetjen e tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njoftonte policia pas denoncimit të babait të të riut.
Lini një Përgjigje