TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Shkurt 2023, 16:26

Në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, arrestohet në Dubai anëtari i bandës së Plaurent Dervishajt

Shkruar nga Pamfleti
Në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, arrestohet
Arjan Ndoja dhe Amar Shkëmbi

Arrestohet në Dubai një prej emrave të shpallur në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji.

Bëhet fjalë për Amar Shkëmbin, një prej anëtarëve të bandës së Plaurent Dervishajt. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me SPAK, ndërsa mbetet të shihet nëse do kemi apo jo ekstradim të tij, pasi ekstradimet nga Dubai janë thuajse të pamundura.

Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve përmes inteligjencës informative, me qëllim lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për kapjen dhe arrestimin e këtyre personave, me qëllim ekstradimin, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, kanë shkëmbyer informacione për një shtetas shumë të kërkuar nga SPAK-u, i cili ndodhej në Emiratet e Bashkuara Arabe. Mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit, homologët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Abu Dhabi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit: A.(D.) Sh., 39 vjeç.

GJKKO i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal””, njoftoi policia.

Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri prokurori Ndoji, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë. Si pasojë e të shtënave u plagos rëndë dhe më pas ndërroi jetë në spital shoferi i prokurorit dhe ka mbetur i plagosur vetë prokurori.

Lidhjet e Amar Shkëmbit me atentatin

Pas atentatit të dështuar ndaj Plaurent Dervishajt, ky i fundit nisi të hartonte planin për eliminimin e Arjan Ndojit dhe Rrumit. Atentati ndaj tyre u bë në 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit, ndërkohë që siç del në dosjen hetimore, të parët që kanë nisur punët për të krijuar kushtet për të realizuar atentatin, duket se janë Julian Meçaj, Amar Shkëmbi dhe Endrit Sinani, i njohur me pseudonimin “Diqo”, një lidhje ky e afërt me Amar Shkëmbin.

Në bisedën e përgjuar konstatohen edhe takimet me Redjan Rrajën, i cili në këtë skenar ishte ngarkuar të kryente rolin e ekzekutorit. Rraja u arrestua fill pas atentatit të ndodhur në “Mbikalimin e Shkozetit”, pasi gjurmët e tij u gjetën në makinën e krimit, që autorët nuk mundën ta digjnin dot, por e braktisën pranë varrezave të Shkafanës, në Durrës. Në vendin ku u braktis automjeti u gjetën midis të tjerave edhe një palë syze, që mbanin pikërisht gjurmët e ADN-së së Rrajës, që në dosje rezulton me pseudonimin ‘Doku’.

Në përgjime evidentohen edhe takimet që pjesëtarë të grupit kanë kryer kohë pas kohe me Redjan Rrajën, siç janë edhe ato që ky i fundit realizonte në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, me Amar Shkëmbin. Përgjimet hedhin dritë edhe në ndjekjen për katër ditë me radhë që grupi i përcaktuar, i kishte bërë makinës së prokurorit Ndoji, deri ditën e goditjes finale.

arjan ndoja dubai amar shkembi

Lini një Përgjigje