Ka nisur seanca gjyqësore për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, ku prokurorja Doloreza Musabelliu po lexon provat shkresore të administruara në këtë çështje.
Gjatë paraqitjes së provave, prokurorja u shpreh në disa raste: “Nga kërkesëporositë kemi identifikuar kodet e “Sky” që disponoheshin nga Nuredin Dumani”.
Në seancë u lexuan procesverbalet e identifikimit të tre llogarive të “Sky” nga Dumani, si edhe të pandehurve Henrik Hoxhaj, Aldo Baho, Erjon Alibej, Armand Tragaj, Ardian Subashi ose Çollaku, Arjan Saliu (i cili është vrarë) dhe Festim Qoli, ku sipas akuzës rezultojnë episode të ndryshme kriminale.
Sipas materialeve të lexuara në sallë, në komunikime flitet për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, për plane për të vrarë Indrit Doklen dhe Emiliano Ramazanin.
Prokuroria vendosi gjithashtu të lexojë procesverbalet që lidhen me shkatërrimin me eksploziv të banesës së Talo Çelës, vrasjen e Fatmira Dedjes, si edhe ngjarje të tjera, përfshirë atë ndaj Sanxhaktarit dhe dy vëllezërve Haxhia.
“Ju vendosim në dispozicion po ashtu procesverbale dhe provat shkresore mbi të gjitha faktet penale që nisin në faqen 174, duke nisur nga sigurimi i kushteve për të vrarë Elton Kilën dhe njëkohësisht bëjnë tentativën për të vrarë Nuredin Dumanin”, u deklarua gjatë leximit të akteve. Në këto materiale përfshihen këqyrjet e vendngjarjeve dhe procesverbalet e thënieve të bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Gjatë seancës ndërhyri avokatja e Altin Ndocit, i arratisur, e cila kundërshtoi përdorimin e disa prej provave të paraqitura nga prokuroria.
“Nuk ka përse të përdoren në këtë gjykim procesverbale të Sky ECC për disa persona që nuk janë në këtë gjykim, por që janë veçuar. Ne kërkojmë nga kjo gjykatë që t’i kërkojë SPAK të na vendosë në dispozicion CD-të e ardhura nga autoritetet franceze, për parimin e zbulimit të së vërtetës. I kërkojmë gjykatës t’i kërkojë prokurorisë nëse kanë evidentuar pin-kod apo çfarë lloj terminologjie që përdorin për Sky ECC të shtetasit Altin Ndoci, dhe për çdo fakt penal që ia ngarkon për vrasjen e Andi Zylyfit. Na vendosni në dispozicion ato pin-et, specifikisht CD-të, pra çfarë ka marrë prokuroria nga francezët. Me gjithë dëshirën e mirë për të besuar prokurorinë, ne kemi të drejtën që t’i verifikojmë dhe të ndjekim kontradiktoritetin, jo të sillen email-et me një shtet. Ne duam konkretisht provën”, tha avokatja.
Më tej, ajo shtoi: “Ne disa herë kemi ngritur gjatë kësaj gjykate të dhënën që Altin Ndocit i është marrë kampion ADN në burg pikërisht për vrasjen e Zylyfit. Prokuroria ka pasur një përgjigje mbi këtë akt-ekspertim, nuk e ka depozituar, refuzon ta depozitojë dhe ne e vlerësojmë këtë qëndrim të SPAK si tendencë. Ia kam kërkuar konkretisht prokurorit Behar Dibra këtë ekspertim ADN të 2023 dhe ku jepet një përgjigje në favor të Altin Ndoci, ku thuhet se mbetjet biologjike nuk janë të Altin Ndoci. Edhe për shtetasin Arjan Spahiu (vrarë), prokurorja përmendi një procesverbal, ne kërkojmë të na vihet në dispozicion edhe ky pin, pavarësisht se Spahiu zyrtarisht nuk ka akuzë. Se nëse ai do të kishte qenë gjallë, do të kishte të njëjtat akuza si Erjon Alibej dhe Nuredin Dumani”, përfundoi avokatja.
Më tej, ka folur edhe avokati tjetër i Ndocit, Aldo Shkëmbi, i cili iu drejtuar prokurorisë me fjalët: "Jeni bërë si telenovelat turke".
"E kam të paqartë, është arrestuar Nuredin Dumani, i penduari, a kanë përfunduar akt-ekspertimet e telefonëve të tij, pse nuk janë sjellë? Se jeni bërë si telenovelë turke, s’po marrim më vesh çfarë po ndodh. Jam duke folur për veprimet hetimore të kryera, unë kam të drejtë të kërkoj provat.", tha avokati.
Lini një Përgjigje